Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj të dyshuarit tjetër për rastin e sulmit në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit Jovan Viçentieviq i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.
I dyshuari është Jovan Viqentijeviq, vëllai i Dragisha Viqentijeviq, ky i fundit i dyshuari i parë për këtë rast, i cili gjendet nën masën e paraburgimit.
Pas përfundimit të seancës dëgjimore, mbrojtësi i të dyshuarit Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq ka deklaruar para medieve se i mbrojturi i tij në gjykatore ka treguar për lëvizjet e tij në ditën kritike dhe se nuk ka lidhje me sulmin terrorist në Zubin-Potok.
Avokati ka theksuar në seancë Gjykata dëgjoi argumentet e prokurorit të shtetit dhe mbrojtjes.
Vllajiq ka deklaruar se besojnë që nuk ka arsye që të mbrojturit të tij t’i caktohet paraburgimi dhe se përveç kësaj, sipas tij, nuk ka asnjë provë për veprat për të cilat dyshohet ai.
“Ai dyshohet se është përgjegjës për sulmin ndaj rendit kushtetues duke shkatërruar objekte infrastrukturore, lidhur me terrorizmin dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe municionit”, ka theksuar Vllajiq, raporton Betimi për Drejtësi.
Ai ka potencuar se i mbrojturi i tij para gjykatës ka shpjeguar lëvizjen e tij gjatë kohës kritike.
“I pandehuri ka shpjeguar lëvizjen e tij gjatë asaj kohe kritike që nuk ka lidhje me vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe kjo duhet të merret parasysh. Ne presim vendimin e gjykatës në lidhje me paraburgimin në kohën më të shkurtër të mundshme, në një ose dy orë”, ka deklaruar Vllajiq.
Veç kësaj, Vllajiq pas seancës ka theksuar se municioni i gjetur në shtëpinë e të adyshuarit Viqentijeviq është e padiskutueshme, por që, sipas tij, nuk ka lidhje me shpërthimin.
“Nuk janë gjetur eksploziv, as çakmakë, as detonatorë, kështu që edhe ajo që është gjetur nuk e vërteton atë që pretendon prokurori i shtetit”, ka deklaruar avokati Nebojsha Vllajiq.