Gazetaria në Kosovë ka mbetur të martën pa një prej profesionistëve më të zot të saj.
Gazetari Zijadin Gashi vdiq në moshën 51-vjeçare pasi për disa muaj u përball me një sëmundje të rëndë.
Ai profesionin e gazetarit e kishte nisur që nga viti 1997, duke mbuluar sektorin e politikës në Kosovës.
Për gati dhjetë vjet Gashi punoi në Radion Evropa e Lirë si gazetar dhe një periudhë si shef i byrosë në Prishtinë.
Gjatë kësaj periudhe gati një dekadëshe, bashkë me Gashin ka punuar gazetari i atëhershëm, Rrahman Paçarizi, tash profesor.
Pos profesionalizmit të dëshmuar, Paçarizi thotë se kujton Gashin edhe për maturinë dhe qetësinë që e kategorizonte.
“Është një humbje e jashtëzakonshme për gazetarinë kosovare shkuarja në amshim e Zijadinit, e Zigës që e kanë quajtur, është një humbje shumë e madhe sepse Zijadini ka qenë në moshën kur e ka arritur pjekurinë më të lartë profesionale dhe ka pasur se çka t’i jap gazetarisë tutje”, ka thënë Paçarizi.
Pas REL-it, Gashi punën e vazhdoi për rreth dy vjet si kryeredaktor në Radio Televizionin Dukagjinin.
Edhe këtu, kolegët kanë vlerësimet ndër më të lartat për të.
“I qenë, gjithmonë i urtë në kuptimin e gatishmërisë për të këshilluar ata që i kërkonin këshilla, por plot vullnet për të luftuar sëmundjen dhe madje edhe për të krijuar projekte të reja, derisa ballafaqohej me luftën e vrazhdë. I tillë në kujtesën time do të mbetet Zijadini”, ka thënë redaktorja, Sebiha Ramaxhiku.
Më pas, nga viti 2021 deri më 2023, Gashi punoi në Tëvë 1.
Përmes një telegrami, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ngushëlluar familjen, miqtë dhe kolegët e Gashit.
Edhe Presidentja e Kosovës ka shprehur ngushëllime duke thënë se ‘karriera e gjatë dhe kontributi i tij në median e shkruar, elektronike dhe televizive u karakterizuan nga integriteti dhe angazhimi i palëkundur për informim të publikut, saktë dhe në mënyrë profesionale’. Familjen e komunitetin gazetaresk e kanë ngushëlluar edhe partitë politike e figura tjera publike.
AGK-ja këtë vit i ka ndarë mirënjohje për kontributin e dhënë në gazetari, para dhe gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-99.