Liderët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian pritet të takohen në Bruksel në një samit dyditor.
Udhëheqësit nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia pritet të takohen me homologët e tyre të BE-së, më 23 qershor për një takim të Ballkanit Perëndimor para samitit më të madh.
Ndonëse Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Serbia janë vende kandidate për t’u anëtarësuar në BE, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova janë vetëm vende kandidate potenciale.
Shpresat e Kosovës për të marrë përfundimisht liberalizimin e vizave duket se “do të shuhen”, edhe pse mund të ketë një angazhim për të nisur procesin politik në atë front më vonë në vjeshtë, shkruan REL.
Në samitin në Bruksel që do të zhvillohet më 23-24 qershor, liderët e të 27 shteteve të BE-së do të shqyrtojnë të tri kërkesat për statusin e kandidatit.
Por, përveç atyre zhvillimeve të mundshme, ka edhe zhvillime të tjera.
Ky samit do të jetë i fokusuar në zgjerimin e BE-së, por ideja e rritjes së anëtarësimit në klub ende i bën disa vende paksa të turbulluara.
Kjo është arsyeja pse liderët e BE-së do të diskutojnë, gjithashtu, idenë e fundit të presidentit francez, Emmanuel Macron, për një Bashkësi të re Politike Evropiane gjatë darkës më 23 qershor.
Një pjesë e madhe e samitit do t’i kushtohet luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Por siç shkruan REL, ka një ndjenjë të veçantë, brenda dhe jashtë Brukselit, se bllokut po i mbarojnë idetë e reja.
Do të ketë një thirrje për të rritur më tej mbështetjen ushtarake për Kievin dhe për t’i dhënë Ukrainës një paketë tjetër ndihme financiare me vlerë deri në 9 miliardë euro.
Edhe në lidhje me sanksionet, lodhja është e dukshme në korridoret e pushtetit të Brukselit.