Gjeneralmajor Enrico Barduani, komandant i KFOR-it të drejtuar nga NATO, ka zhvilluar një takim me ambasadorët dhe shefat e misioneve nga 29 vende aleate dhe partnere që kontribuojnë me trupa në misionin e KFOR-it.
Takimi u mbajt në Shtabin e KFOR-it në Camp Film City, ku u diskutuan çështje kyçe, përfshirë situatën aktuale të sigurisë në Kosovë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, pjesë e diskutimeve ishin edhe aktivitetet e tanishme të misionit të NATO-s në Kosovë dhe bashkëpunimi i tij me komunitetin ndërkombëtar.
Komandanti Barduani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta me aleatët për të garantuar një siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe në rajon.
“Kam vënë theks të madh tek uniteti i përpjekjes dhe uniteti i qëllimit, që së bashku të mundemi kontribuojnë për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për sigurinë rajonale”, citohet të ketë thënë komandati i KFOR-it.
KFOR-i ka potencuar angazhimin e tij në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, duke respektuar rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.