Një tërmet 4.0 ka goditur Kosovën, në orët e hershme të së enjtes.
Qendra Sizmologjike Evropiane e Mesdheut (EMSC) ka njoftuar se tërmeti i parë 4.0 shkallë të Rihterit ka ndodhur në ora 01:46 dhe se epiqendra e dridhjeve ishte 16 kilometra në jugperëndim të Prizrenit.
Thellësia e tërmetit ishte 16 km.
Dridhjet janë ndje edhe në qytetet tjera dhe në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq, gjithashtu sipas EMSC tërmeti tjetër me shkallë 3.2 të Rihterit ka ndodhur në ora 03:59, 17 km në jugperëndim të Prizrenit, ose 7 km në veriperëndim të Dragashit.
Tërmeti ishte 11 kilometra thellësi.
Shemsi Mustafa, udhëheqës i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, ka njoftuar në Facebook se epiqendra e këtij tërmeti ishte 15 km në jugperëndim të Prizrenit, 15 km në verilindje të Kukësit, në fshatin Vërmicë.
“Tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e zonës Jugperëndim të Kosovës. Ky sizmicitet nuk e kishte potencialin të rrezikon qytetaret apo ndonjë dëm material për shkak të forcës se ulët, njëherësh ky termet dëshmon për zonën sizmogjene të Prizrenit që është zonë aktive e cila në të ardhmen mund të gjeneron tërmete me magnitudë më të madhe, ashtu sipas llogaritjeve dhe studimeve të paraqitura me Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë”, ka shkruar Mustafa.