Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar të enjten drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Zhvillimore të Austrisë (ADA), Friedrich Stift.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, Kurti e falënderoi për bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm të ADA-s me institucionet e Republikës së Kosovës, veçanërisht në arsimin dhe aftësimin profesional.
Gjatë takimit, thuhet se diskutuan edhe për mundësitë për thellim të bashkërendimit në zhvillimin dhe zgjerimin e mëtejmë të arsimit dual që është në vitin e tretë të zbatimit tashmë në 12 profile, 25 shkolla nga gjithsej 15 komuna me 1607 nxënës.
Gjithashtu biseduan edhe për digjitalizimin në shkolla dhe turizmin kulturor dhe mundësitë e bashkëpunimin në këto drejtime.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Zhvillimore të Austrisë (ADA), Friedrich Stift në takim ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer dhe Drejtorja e ADA-s për Kosovë, Rita Glavitza. Bashkë me kryeministrin Kurti në takim ishte Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi.