Florian Smajli, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në një konferencë për medie të enjten, ku u publikua raporti me titull: “Qeverisja me duar të pastra dhe hetimi i korrupsionit qeveritar”, ka thënë se nga monitorimi i tyre, del se Qeveria përbëhet nga gjashtë persona (pesë ministra dhe kryeministri Albin Kurti), të cilët kanë pasur ose kanë probleme me ligjin.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka një sërë ministrash të cilët kanë probleme me ligjin. Këtu madje bëjnë pjesë edhe të akuzuar e të dënuar për vepra penale nga kapitulli i korrupsionit, e që ushtrojnë pozicionin e ministrit Aktualisht, sipas të dhënave të monitorimit të IKD, Qeveria përbëhet nga gjashtë persona (pesë ministra dhe kryeministri) të cilët kanë pasur ose kanë probleme me ligjin. Shprehur në përqindje, i bie se 37.5% e Qeverisë përbëhet nga persona të cilët kanë probleme me ligjin”, ka thënë Smajli.
Ai u shprehse katër ministra të Qeverisë kanë raste aktive në Gjykatë, përfshirë këtu edhe raste që kanë të bëjnë me vepra penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare.
Smajli theksoi se ministrat me aktakuza aktive janë: Xhelal Sveçla, Arbërie Nagavci, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla. Por, shtoi se githnjë duhet respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.
“Tek Qeveria ka persona me dënime të fomës së prerë, ku bënë pjesë edhe kreu i Qeverisë së bashku me Ministren e Drejtësisë. Të cilët ishin dënuar në vitin 2018 për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar. Për shkak të këtyre dënimeve, të njëjtit nuk ishin ceritfikuar nga KQZ për të kandiduar në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021. Ndërsa, në vitin 2022, Ministrja Rozeta Hajdari është dënuar për “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare” vepër penale kjo nga nga kapitulli i korrupsionit zyrtar dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare”, ka deklaruar Smajli.
Hulumtuesi ka potencuar se me premtimin për luftimin e korrupsionit, Qeveria aktuale fitoi shumicën absolute të votave, një shumicë kjo e paarritur asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës.
“Programi zgjedhor i partisë në pushtet theksonte se “Qeveria jonë do të dëshmojë përkushtim në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit…”. Përmes këtij programi, premtohej përkrahje dhe fuqizim për sistemin e drejtësisë. Pas formimit të Qeverisë, Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi Programin Qeverisës së Republikës së Kosovës 2021-2025. Ndër të tjera, Qeveria në këtë program theksonte se “…do të fokusohemi në luftimin e krimit e korrupsionit…”, “do ta luftojmë pa kompromis krimin e organizuar e korrupsionin”, ka thënë ai.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), të enjten në një konferencë për medie publikoi raportin me titull: “Qeverisja me duar të pastërta dhe hetimi i korrupsionit qeveritar”. Ky aktivitet organizohet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2024”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile (IKD, FOL, INPO) me moton “Bashkë Kundër Korrupsionit”. /BetimipërDrejtësi