Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj ka reaguar lidhur me emrat e përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë nga Lista serbe.
Haradinaj ka theksuar në këtë listë e cila është dorëzuar dje në KQZ, figurojnë dhe emra të vjetër, të cilët janë bashkëpunëtorë të ngushtë të Radojçiqit, të cilët kandidojnë për t’u rikthyer pa asnjë pengesë në Kuvendin e Kosovës.
“Në listën e dorëzuar në KQZ dje, figurojnë edhe emra të vjetër të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Radojçiqit, të cilët fatkeqësisht do të kandidojnë e madje edhe të fitojnë e të rikthehen në Kuvendin e Kosovës pa asnjë pengesë. Për dallim nga ne në Kosovë që i certifikojmë pa asnjë filtër të sigurisë këta persona, secili prej tyre paraprakisht padyshim se ka marrë aprovimin dhe instruksionet e qarta politike e kriminale nga Vuçiqi e Radojçiqi. Pas certifikimit të kësaj organizate dhe rilegjimimit të saj në systemin politik të Kosovës, partitë politike shqiptare ‘e humbin’ të drejtën të bëjnë premtime elektorale për çështjet me Serbinë dhe integrimin e veriut”, thuhet në reagimin e Haradinajt, të publikuar në Facebook.