Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pak para nisjes së Samitit të Bashkimit Evropian, është takuar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Kështu është bërë e ditur përmes një postimi të një fotografie në rrjetin social të saj Facebook.
“Pak para samitit, me Presidentin Macron”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, liderët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian(BE), do të takohen në një samit dyditor në Bruksel, të paraprirë nga një takim i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Ndonëse Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Serbia janë vende kandidate për t’u anëtarësuar në BE, Bosnja dhe Kosova janë vetëm vende kandidate potenciale.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në deklaratën e saj para hyrjes në Samitin e Bashkimit Evropian, ka deklaruar se dëshiron një mesazh të qartë nga familja evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmen e tij.
Ajo ka theksuar se qytetarëve të Kosovës u duhet një zë i qartë nga BE-ja, teksa ka shtuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Osmani ka potencuar se qytetarëve të Kosovës duhet t’iu mundësohet lëvizja e lirë.
“Sigurisht shpresojmë, megjithatë nuk dua t’i rris pritshmëritë në këtë moment kohor, sepse ky proces nuk është më në duart tona. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sa i përket liberalizimit të vizave vite më parë”, ka thënë Osmani.
Presidentja e vendit ka theksuar se mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, është një padrejtësi e madhe.
“Shpresoj që BE do të japë këtë mesazh të qartë sot, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave qe një kohë të gjatë, nuk është në dorën tonë, është në dorën e BE-së”.
Ajo është shprehur pro Ukrainës dhe Moldavisë për anëtarësimin e tyre në BE.