​Ndarjet buxhetore, kaq milionë euro për ushtri dhe polici

Pjesëtar të FSK-së, gjegjësisht Policia Ushtarake e FSK-së

Ligji për buxhetin e vitit 2025 në vlerë 3.6 miliardë euro vlerësohet të jetë më shumë për mbijetesë sesa për zhvillim të qëndrueshëm. Sipas njohësve të ekonomisë ky buxhet nuk pritet të reflektojë në mirëqenien e qytetarëve.

Nga 3.6 miliardë euro, 916.5 milionë euro planifikohet të shkojnë për paga dhe shtesa, ndërsa vetëm pak më shumë, 931 milionë euro, parashihen për shpenzime kapitale. Kështu mbi gjysma e buxhetit shkon për këto dy kategori. Derisa për kategorinë subvencione dhe transfere janë paraparë mbi 1.1 miliard euro. Për mallra dhe shërbime pritet të shpenzohen 535 milionë euro. Ndërkaq, totali i fondeve për skemat pensionale arrin në rreth 500 milionë euro, me rritjen që pritet të jetë 100 milionë euro shtesë (20 për qind rritje për skemat pensionale të moshës).

Përveç kësaj me ligjin për buxhetin 2025 që është publikuar më 12 dhjetor në Gazetën Zyrtare pas miratimit në dy leximet në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në nenin 33 vendoset për të gjithë të punësuarit në sektorin publik rritje të pagave për 55 euro nga janari, dhe për 55 euro tjera nga muaji korrik i vitit të ardhshëm.

Rritje të buxhetit për vitin e ardhshëm, do të kenë edhe disa nga institucionet qendrore të vendit, përfshirë ato në sektorin e mbrojtjes e sigurisë, shëndetësisë dhe infrastrukturës rrugore.

E për sigurinë e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes e udhëhequr nga Ejup Maqedonci do të shpenzojë më 2025 gati 208 milionë euro. Ndërsa për vitin 2024 ishin ndarë për këtë ministri gjithsej 153 milionë euro. Ministria e Punëve të Brendshme e drejtuar nga ministri Xhelal Sveçla do të ketë buxhet rreth 227 milionë euro.

Vetëm për Policinë e Kosovës janë ndarë mbi 150 milionë euro. Po ashtu Ministria e Drejtësisë ka mbi 57 milionë euro buxhet. Për Bujqësinë janë ndarë mbi 90 milionë euro. Për Ministrinë e Infrastrukturës, buxheti kap shifrën 260 milionë euro.

Ministria e Arsimit e udhëhequr nga ministrja Arbërie Nagavci ka buxhet gati 100 milionë euro, ajo e Ekonomisë rreth 35 milionë euro dhe Ministria e Kulturës, do të ketë në kuletën e saj gati 90 milionë euro.

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj thotë se edhe pse ka një rritje të konsiderueshme të buxhetit në krahasim me vitet e kaluara, fokusi duhet të jetë tek pjesa investimeve.

“Për këto tre vite nuk ka bërë fare investime, buxheti i ardhshëm nuk e di sa do t’i plotësoj ato interesat ekonomike çfarë e presin Kosovën, por që kjo (qeveri) më shumë e interesuar në disa politika sociale dhe në siguri, por duhet të kenë të qartë në ekonominë e tregut fokusi duhet të jetë tek pjesa investimeve…Është një buxhet i mbijetesës por jo me pritje të mëdha siç ish dashtë, por si duket këta janë të vetëkënaqur, por që reflektim ekonomik deri më tani nuk ka pas një gjë të tillë”, thotë Kadrijaj.

Nga ana tjetër, edhe njohësi tjetër për çështje të ekonomisë, Blendi Hasaj e sheh vitin 2025 si një vit zgjedhor, duke parashikuar zvarritje të proceseve dhe prioritet të fushatave zgjedhore, gjë që sipas tij do të ndikojë në zbatimin e realizimit të projekteve zhvillimore.

“Në vitin 2025 dallohet edhe një rritje e buxhetit për pagat pasi është premtuar rritja e pagave, e po ashtu edhe për rritjen pensioneve. Parashikimet janë qe të kemi një normalizim të rritjes së çmimeve, pra të mos kemi rritje të hovshme, tani vërehet se është një përmirësim në ketë aspekt…19:35 Mirëpo duke e ditur që është një vit zgjedhor viti që po hymë, dhe i kemi dy procese zgjedhore, të nivelit qendror dhe komunal, rezerva e vetme është që do të kemi zvarritje të proceseve deri në formimin e institucioneve dhe mos ta kenë vëmendjen e duhur kryerja e funksioneve publike me të cilat janë zgjedhur, por më shumë të jetë vëmendja tek pjesa e fushatave zgjedhore dhe kjo normalisht pastaj ndikon në shumë procese”, thotë Hasaj.

Skeptik për një buxhet zhvillimor është edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Adem Qorrolli.

Ai thotë se buxheti i vitit 2025 po ashtu pritet të jetë i fushatave zgjedhore.

“Në Kosovë me buxhetin mbi 3 miliardë euro, kjo tregon që ne nuk kemi qenë afër një rritje apo zhvillimi ekonomik, sepse e dimë që gati 40 për qind e këtij buxheti është mbushja nga tepricat apo nga paratë e mos shpenzuara nga investimet kapitale për periudhën 2021,2022, 2023. Dhe tashmë kemi përsëri afër 60 për qind të tepricës për vitin 2024, sepse ato që rritin apo stimulojnë rritjen ekonomike janë nga investimet kapitale. Dhe sigurisht edhe ky buxhet është i një rritje nga një normë e thjesht dhe kështu do të jetë një buxhet i mbijetesës dhe një buxhet i fushatave zgjedhore, sepse do të kemi shumë shpenzime në pjesën e fillimit të vitit dhe në fund të vitit”, thotë ai.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur ‘historik’ buxhetin 3.6 miliardë eurosh për vitin 2025. Ai ka thënë se ky buxhet është për familjen, derisa përmend mbështetjen për gratë, fëmijët, studentët dhe rritjen e pagave në sektorin publik.

Buxheti i Kosovës burim kryesor ka të hyrat e Doganës dhe të Administratës Tatimore të Kosovës.

Në buxhetin për vitin 2025 thuhet se gjatë vitit aktual ekonomia e Kosovës pritet të rritet për 4.5 për qind, duke vazhduar trendin e rritjes edhe vitin e ardhshëm, përkatësisht për 5.6 për qind.

Vlerësohet se buxheti për vitin 2025 ka rritje në Kosovë, megjithatë mbetet më i ulëti në rajon.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar buxhetin e vitit 2025 me vlerë 8.2 miliardë euro./Kosova Press

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika