Kryetari i Komunës së Leposaviq, Lulzim Hetemi, ka vizituar policët që u përfshinë në një aksident të premten mbrëma në veri të Kosovës.
Në një postim në Facebook nga komuna, thuhet se Hetemi iu ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve, duke shprehur besimin se ata do të rikuperohen plotësisht.
Ai gjithashtu ka siguruar mbështetje të vazhdueshme për forcat e rendit dhe ka shprehur angazhimin për të krijuar kushte më të sigurta për qytetarët e komunave veriore.
“Policët tanë janë heronj të vërtetë në detyrën e tyre. Ky aksident është një ngjarje e hidhur, por jam i sigurt që ata do të rikuperohen plotësisht dhe do të vazhdojnë të mbrojnë qytetarët me të njëjtin përkushtim. Uroj shërim të shpejtë dhe të plotë për gjithë të lënduarit,” ka theksuar Hetemi.
Ai gjithashtu ka ripërsëritur se do të vazhdojë të punojë ngushtë me institucionet për të siguruar një mjedis më të sigurt për të gjithë qytetarët e komunave të Veriut.