Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se janë arrestuar pesë shtetas të Kosovës pasi janë kapur me barna që bëjnë përgatitjen e lëndëve narkotike. Janë sekuestruar 1.057.840 tableta, 300.000 euro kesh dhe gjashtë celularë.
Njëri prej të dyshuarve s’i kishte deklaruar ato në pikëkalimin kufitar në Rinas.
Sipas njoftimit zyrtar të arrestuarit janë B.Z., 45-vjeçar, F.Z., 34-vjeçar, A.I., 23-vjeçar, A.G., 20-vjeçar dhe A.M. 21-vjeçar.
Autoritetet policore njoftuan se sipas hetimeve, të arrestuarit i kanë blerë barnat në Jordani dhe synonin t’i futnin në Shqipëri.
“Arrestohen në flagrancë 5 shtetas kosovarë të cilët do të futnin në RSh, barna të dyshuara të kontrabanduara, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike. Sekuestrohen 1 057 840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara (me peshë 417.1 kg), 300 000 euro të cilat njëri prej të arrestuarve nuk i kishte deklaruar në PKK Rinas, si dhe 6 celularë. Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në aeroportin e Rinasit, në hyrje të RSh-së, do të paraqiteshin disa shtetas të cilët në bagazhet e tyre dispononin mallra kontrabandë, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Transit”. Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit kosovarë B. Z., 45 vjeç, F. Z., 34 vjeç, A. I., 23 vjeç, A. G., 20 vjeç, A. M., 21 vjeç. Nga kontrolli i ushtruar në 14 valixhe (bagazhet e të arrestuarve), janë konstatuar 1 057 840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara, me peshë 417.1 kg, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit B. Z., shërbimet e Policisë i gjetën 300 000 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi. Nga verifikimet e kryera dyshohet se 5 të arrestuarit do të futnin në Shqipëri dhe më pas në Kosovë, barna të blera në Jordani. Medikamentet mjekësore, shuma 300 000 euro dhe 6 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit shqiptar.