Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka prezantuar zotimet për siguri, drejtësi dhe mbrojtje gjatë një takimi të mbajtur në Lipjan.
Abdixhiku ka theksuar përkushtimin për projekte konkrete që synojnë transformimin e thellë të sistemeve të mbrojtjes dhe drejtësisë në Kosovë.
“Derisa të tjerët propagandojnë e merren me ne, ne merremi me të ardhmen që i duhet Kosovës. Projekte konkrete, ide konkrete.
Sot në Lipjan, në Lipjanin e Imri Ahmetit, në Takimin e 6-të Tematik, prezantuam zotimet tona për Siguri, Drejtësi e Mbrojtje. Tri shtylla që garantojnë lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e një shoqërie të drejtë dhe të sigurt. Prezantuam projekte konkrete që do t’i transformojnë rrënjësisht sistemet tona të mbrojtjes, dhe do ta ndërtojnë një Kosovë me drejtësi dhe siguri për të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Në fushën e sigurisë, Abdixhiku ka premtuar ristrukturimin e Policisë së Kosovës me 10,000 policë në uniformë, duke shtuar mbi 2,000 policë të rinj.
“Ristrukturimin e Policisë së Kosovës me 10,000 policë në uniformë, ose mbi 2,000 policë më shumë se sa kemi tani. Pajisjen e Policisë me 1,200 vetura të reja dhe me kamera trupore për të gjitha patrullat. Policimin në bashkësi si nocion ku siguria ndërlidhet dhe ndihmohet në një masë të madhe nga qytetarët e vendit”, ka theksuar Abdixhiku.
Në fushën e mbrojtjes, kryetari i LDK-së ka theksuar rëndësinë e Partneritetit për Paqe dhe përgatitjen për integrim në NATO.
Ai ka premtuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 2% të BPV-së, ristrukturimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me 6,000 trupa aktive dhe ndërtimin e katër kazermave të reja në rajone strategjike.
“Partneritet për Paqe dhe shtrimin e rrugës drejt NATO-s. Rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të BPV-së sipas standardeve të NATO-s. Ristrukturimin e FSK-së me 6,000 trupa aktive dhe me ndërtimin e 4 kazermave të reja ushtarake në rajone strategjike. Arsimimin ushtarak në shkolla civile për të krijuar bazë të fortë për rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe të dalluar. Ndërtimin e vendbanimeve për personelin ushtarak me afërsi fizike të personelit ushtarak me objektet dhe pajisjet ushtarake për kohë më të shpejtë të reagimit”.
Në sektorin e drejtësisë, Abdixhiku ka propozuar vetingun në sistemin e drejtësisë, themelimin e Qendrës Shtetërore të Hetimit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe digjitalizimin e plotë të proceseve në gjyqësor për një sistem më transparent dhe efikas.
“Veting në sistemin e drejtësisë. Themelimin e Qendrës Shtetërore të Hetimit për ta luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar. Digjitalizimin e plotë të proceseve në drejtësi për një sistem më efikas dhe transparent, dhe si hap thelbësor për suksesin e reformave të sistemit të drejtësisë”, ka shtuar kryetari i LDK-së.
“Kosova ka nevojë për një ushtri moderne, për një polici të pajisur e të aftë për të garantuar sigurinë e qytetarëve, dhe për një sistem drejtësie të drejtë. Me programin tonë, me ekipin e fitores, dhe me besimin qytetar në rritje do ta ndërtojmë një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë!”.