Brukseli sot do të mbledhë në një samit liderët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor. Gjatë këtij takimi është paraparë që të ketë takime lidhur me bashkëpunimin politik dhe ekonomik mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Kosova do të përfaqësohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
“Temë kryesore e Samitit pritet të jetë zgjerimi i BE-së me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, si dhe do të trajtohen në veçanti: Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Plani Ekonomik dhe i Investimeve, Agjenda e Gjelbër dhe Digjitale për Ballkanin Perëndimor, si dhe fusha të tjera si Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë, luftimi i kërcënimeve hibride dhe kibernetike, dhe migracioni”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Takimet është paraparë të nisin në orën 17:30 pasdite, ndërsa pas një konference për media në orën 19:30, do të ketë edhe një darkë pune të liderëve, që pritet të nisë në orën 20:30.
Samiti do të drejtohet nga presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Pritet që në fund të samitit të miratohet një deklaratë.