Në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet sot në Bruksel, profesori nga Londra, Seb Bytyqi, ka komentuar trajtimin e Kosovës nga Bashkimi Evropian, duke deklaruar se procesi i integrimit të Kosovës do të jetë më i gjatë dhe më i ndërlikuar sesa për vendet e tjera të rajonit.
Bytyqi theksoi se një ndër problemet kryesore mbetet mungesa e njohjes së Kosovës nga pesë shtete anëtare të BE-së, e cila ka shkaktuar pengesa të mëdha në përparimin e saj drejt integrimit evropian.
Ai përmendi rastin e fundit të Këshillit të Evropës, ku anëtarësimi i Kosovës u bllokua edhe nga shtete që e kanë njohur pavarësinë e saj.
“Për Kosovën ka lëvizje të vogla te shtetet e tjera. Por fatkeqësisht për Kosovën ka shumë pak lëvizje, është ende absurde jo të gjitha anëtarët e BE-së e njohin Kosovën. Nuk ka pas një vullnet, që të përparohet në atë drejtim, që t’i hapet rruga Kosovës.
Madje shpeshherë është bllokuar rrugës Kosovës edhe nga shtete njohëse – siç e kemi parë të rasti i Këshillit të Evropës, që është bllokuar anëtarësimi nga shtet njohëse”, ka thënë Bytyqi në FIVE të Dukagjinit.
Profesori kritikoi gjithashtu Bashkimin Evropian për mospërmbushjen e premtimeve të saj, duke theksuar një farë lloj kontradikte që ekziston mes presionit ndaj Kosovës për të zbatuar marrëveshjet (e dialogut me Serbinë) dhe mungesës së angazhimit nga vetë BE-ja për të përmbushur zotimet e dhëna.
Si mungesë të përmbushjes së zotimeve, Bytyqi ka përmendur zvarritjen e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe tash së fundmi heqjen e masave sanksioneve që BE-ja vendosi ndaj Kosovës për tensionet në veri gjatë mesit të vitit 2023.
“Edhe e kemi parë vazhdimisht kushte shtesë sidomos për Kosovën. Kemi parë edhe mospërmbushje e premtimeve nga BE-ja. Sidomos kur në të njëjtën kohë iu bëhet presion shteteve si Kosova për t’i zbatuar marrëveshje, në të njëjtën kohë BE-ja nuk i mbush premtimet. Rasti i liberalizimit të vizave që pati zvarritje…( e masat që nuk i heq)”, ka shtuar Bytyqi.
Më tej Bytyqi ka theksuar se rruga e Kosovës drejt integrimit në BE do të jetë shumë më e vështirë dhe e gjatë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Në rastin e Kosovës tregon që rruga drejt integrimit në BE do të jetë shumë më e gjatë krahasim me shtet e tjera. Sidomos për shkak të mosnjohjes nga disa shtete anëtare. Dhe mungesës së vullnetit nga shtete e tjera që të njihet Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Bytyqi.