Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë Samitit BE – Ballkani Perëndimor të mbajtur të mërkurën, ka theksuar katër pika kryesore që, sipas saj, u janë adresuar liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Osmani ka kërkuar nga BE-ja që të zbatojë parimin e meritokracisë dhe të fillojë menjëherë trajtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim, duke hequr njëkohësisht masat që i janë vendosur Kosovës, të cilat ajo i cilësoi si “të padrejta dhe joevropiane”.
“Nëse respektohet parimi i meritokracisë, ashtu siç proklamohet, atëherë duhet të ecet përpara me hapa konkret në këtë rrugëtim, duke filluar me trajtimin e menjëhershëm të aplikacionit tonë për anëtarësim dhe heqjen e masave ndaj Kosovës të cilat janë të padrejta dhe joevropiane”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka shtuar se Serbia duhet të japë llogari për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës, duke e konsideruar këtë si një element të domosdoshëm për ruajtjen e paqes në rajon.
“Nuk mund të ketë integrim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse vazhdimisht rrezikohet paqja dhe siguria. Prandaj, llogaridhënia e Serbisë për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës është kyçe; Pavarësisht sfidave, Kosova nuk heq dorë nga integrimi në institucione euro-atlantike, sepse mbi të gjitha ky është vullnet i popullit tonë”, ka shkruar tutje Osmani.
Osmani theksoi gjithashtu se pavarësisht sfidave, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj integrimit në institucionet euro-atlantike, si një aspiratë e popullit të saj.