Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se “fitorja është më afër” në Ukrainë, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me luftën, që Kremlini e quan “operacion special ushtarak”.
Pyetja që i është bërë ishte nëse “fitorja është më afër”.
Putin ka nisur përgjigjen e tij duke treguar një pankartë që mbante një brigadë detare ruse, e cila ishte nënshkruar nga ushtarë aktivë dhe ia kishte dhënë atij, e duke i thënë audiencës se ky ishte një simbol i mbështetjes popullore.
Pas kësaj, ai ka marrë duartrokitje nga turma, raporton BBC.
Ai ka theksuar se situata në Ukrainë po “ndryshon drastikisht” dhe se forcat ruse po “rifitojnë territore” me kilometra katrorë çdo ditë.
Putin ka pranuar se lufta është e ndërlikuar, por ka shprehur besimin se Rusia po afron zgjidhjen e detyrave kryesore të “operacionit special”.
Gjithashtu, Putin ka folur për brigadën që lufton në rajonin e Kurskut, duke i cilësuar ata si “heronj” dhe duke u uruar sukses në misionet e tyre.