Sistemi i ri për mbrojtjen nga raketat, përforcon krahun lindor të NATO-s 

Shtetet e Bashkuara hapën zyrtarisht muajin e kaluar një bazë të përhershme ushtarake në Poloni, pjesë e sistemit të mbrojtjes nga raketat të NATO-s, mes tensioneve në rritje me Rusinë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadge, Ministri polak i mbrojtjes thotë se baza është gjithashtu një dëshmi e bashkëpunimit polako-amerikan.

Një bazë e re ushtarake e SHBA-së në Poloninë veriore po bëhet një pjesë kyçe e sistemit të NATO-s për mbrojtjen nga raketat, i njohur si Aegis Ashore. E vendosur në Redzikowo pranë Detit Baltik dhe pranë rajonit të Kaliningradit të Rusisë, baza është e pajisur me tre paisje, secila e aftë të mbajë tetë raketa interceptuese.

Ajo është krijuar për të mbrojtur aleancën e NATO-s dhe Evropën nga kërcënimet e mundshme me raketa balistike.

Kapiteni Michael Dwan, komandant i Task Forcës SIX FOUR të Marinës së SHBA, që fokusohet tek misionet e mbrojtjes nga raketat, shpjegon se raketahedhësit funksionojnë në mënyrë autonome, pa pasur nevojë për ndërhyrje manuale.

“Pasi diktohet një kërcënim, sistemi ynë e automatizon reagimin duke zgjedhur një nga raketat e disponueshme në cilindo nga tre raketahedhësit tanë për të përballuar atë kërcënim.”

Baza, së bashku me një objekt të ngjashëm në Rumani, destrojerët e marinës amerikane të stacionuar në portin spanjoll Rota dhe një radar i paralajmërimit të hershëm në Turqi, përbën një pjesë jetike të mbrojtjes nga raketat të NATO-s Aegis Ashore në Evropë, projektuar për t’u bërë ballë kërcënimeve të raketave balistike me rreze të mesme veprimi.

Sistemi e demonstroi kohët e fundit efektivitetin e tij në mbrojtjen e Izraelit, thotë komandanti i Aegis Ashore në Poloni, Matthew Plant.

“Sistemi Aegis dhe misioni i mbrojtjes nga raketat balistike u testuan në Detin Mesdhe në mbrojtje të Izraelit. Pra, ato sisteme e kaluan provën. Ishte një goditje iraniane kundër Izraelit”, thotë ai.

Në një qendër komandimi dhe kontrolli, personeli ushtarak amerikan monitoron gjatë gjithë kohës për çdo kërcënim të mundshëm. Misioni i tyre është të diktojnë dhe t’u përgjigjen sulmeve me raketa, duke përdorur të dhënat e radarit për të orientuar interceptorët për neutralizimin e raketave.

Zyrtarët theksojnë se baza është vetëm për mbrojtje.

“Nuk ka asnjë eksploziv apo mbushje për goditje në asnjë prej raketave tona këtu”, thotë Kapiteni Michael Dwan.

Kremlini reagoi ndaj hapjes së bazës amerikane në Redzikowo, duke thënë se Rusia do të merrte “masat e duhura për të siguruar të njëjtin nivel gatishmërie”.

Për Poloninë, një anëtar kyç i NATO-s në kufi me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën, baza është një pjesë jetike e strategjisë së saj të mbrojtjes. Ministri polak i Mbrojtjes Wladysław Kosiniak-Kamysz e quan bazën një moment historik për parandalimin dhe mbrojtjen.

“Baza e Redzikowos nuk mund të evakuohet brenda disa orësh. Kjo mbron Evropën, por edhe SHBA-në dhe Kanadanë, të gjithë aleatët e NATO-s. Është një nga projektet kyçe dhe kundërshtimi i fortë i Rusisë, tregon se sa projekt i rëndësishëm është.”

Baza menaxhohet nën Komandën Ajrore të Aleatëve të NATO-s në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani, e cila mbikëqyr komandën dhe kontrollin e sistemeve të mbrojtjes së bllokut nga raketat balistike.

Shija e redaktorit

Osmani uron mirëseardhje Starlink-ut në Kosovë

Presidentja e vendit Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka shkruar Osmani në...

Elon Musk njofton: Starlink tashmë është edhe në Kosovë

Starlink, platforma e internetit satelitor të Starlink Services, LLC, një degë në pronësi të plotë të kompanisë amerikane të hapësirës ajrore SpaceX të Elon...

Edi Rama merr dhuratë nga Rexhep Selimi: Ma përcolli sot...

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka marrë dhuratë një pikturë me përkrenaren e Skënderbeut nga Rexhep Selimi. Në një postim në rrjetet sociale<a href="http://<iframe src="https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fediramaal%2Fposts%2Fpfbid02PQ6a5X5tJPRH6vFVLUxs9rQnDsKmcvppdUZMx7anrnr2hL4B3rkAacb8eHe9So3el&show_text=true&width=500"...

Të fundit nga rubrika