Që nga rrëzimi i kriminelit të luftërave ballkanike nga pushteti, Slobodan Millosheviq, Beogradi nuk ka parë më shumë protestues kundër pushtetit.
Arkivi i Tubimeve Publike ka konstatuar se mbi 100 mijë protestues e dridhën qendrën e Beogradit mbrëmjen e 22 dhjetorit.
“Duart i keni të përgjakura” është pankarta që Vuçiqit i është vizatuar nëpër të gjitha mediat botërore.
Të dielën protestuesi qëndruan 15 minuta në heshtje në nderim të 15 viktimave që vdiqën gati dy muaj më parë pas shembjes së strehës së betonit në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Ivan Videnoviq, profesor universitar në Beograd po i ndjekë nga afër protestat. Ai thotë se kauza kryesore e protestuesve janë dyshimet për korrupsion ndërmjet kompanive kineze dhe atyre lokale, korrupsion që prodhoi fatkeqësinë me 15 të vdekur.
Sipas tij, ana dhe interesat politike janë lënë anash nga studentët, qytetarët e zakonshëm, si dhe fermerët nga e gjithë Serbia.
“Mendoj që në publik në Serbi, Bashkimi Europian dhe perëndimi në përgjithësi janë parë si përkrahës të Vuçiqit për shumë vite, duke ia rrahur krahun atij, duke e inkurajuar atë që të vazhdojë të bëjë atë që e bënte. Kjo në këmbim të përfitime të caktuar që ata i shihnin, mihja e litiumit, ose blerja e pajisjeve ushtarake, e gjëra të ngjashme. Pra këto protesta politikisht janë neutrale në kuptimin e ndarjes me Lindjen apo Perëndimin.”, ka thënë Ivan Videnovic – Profesori universitar në Beograd.
Megjithëse Videnoviq preferon që kahja të jetë pro-evropiane dhe që anëtarësimi në Bashkimin Evropian të shfaqet si e vetmja rrugë.
Vëzhgues dhe njohës të zhvillimeve politike nga tabori shqiptar vlerësojnë se çështjet politike sidomos si kjo e Kosovës nuk janë fare në rend dite, ndërsa për akuzat se kinse Vuçiqi e ka partner kryesor Kurtin thotë se janë retorikë që është përdorur vazhdimisht për propagandë.
“Edhe kjo protestë përsëri ka rishprehur atë që Opozitës i mungon, një lidership më të konsiluduar e strukturuar si organizuar si adresë që do ta strukturonte këtë pakënaqësi të thellë dhe nga ana tjetër iu mungon edhe atikulimi politik që si kauzë politikë që do ta shndërronte në pakënaqësi që do ta kthente në vota për ta rrëzuar pushtetin.”, ka thënë Belgzim Kamberi – Analist.
Kamberi thotë se realiteti në Serbi është që populli është i ndarë në dy tabore por ata që janë pro Qeverisë e kanë një lider të fuqishëm si Vuçiqi, i cili vazhdon ta ketë përkrahjen ndërkombëtare, dhe kjo u dëshmua edhe me afërsinë që po e tregon edhe ambasadori amerikan, Christopher Hill.