Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut tha të hënën se ka shenja se Koreja e Veriut po përgatitet të dërgojë më shumë trupa dhe armë për të mbështetur luftën e Rusisë në Ukrainë.
Armët shtesë që po përgatiten përfshijnë dronë kamikaz dhe Koreja e Veriut ka dërguar tashmë raketahedhës dhe artileri në Rusi, thuhet në një deklaratë të këtij shtabi.
Sipas Koresë së Jugut, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, Koreja e Veriut ka dërguar tashmë rreth 12,000 trupa në Rusi.
Sipas Shtabit të Koresë së Jugut, të paktën 1,100 nga koreano-veriorë janë vrarë ose plagosur.
Ushtria e Ukrainës tha të hënën se rrëzoi 47 dronë që forcat ruse i hodhën në sulmet gjatë natës duke synuar zona të shumta të vendit.
Forcat ajrore ukrainase thanë se Rusia hodhi gjithsej 72 dronë në raundin e saj të fundit të sulmeve të përditshme ajrore.
Mbrojtja ajrore ukrainase tha se rrëzoi dronët mbi rajonet Cherkasy, Chernihiv, Kharkiv, Khmelnytskyi, Kyiv, Odesa, Poltava, Sumy dhe Zhytomyr.
Guvernatori i qytetit Khmelnytskyi Serhii Tiurin tha në rrjetin Telegram se sulmet me dronë dëmtuan një biznes dhe disa shtëpi dhe plagosën një person.
Ministria ruse e Mbrojtjes e Rusisë tha të hënën se shkatërroi një dron ukrainas mbi rajonin Bryansk, i cili ndodhet përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë.
Guvernatori i rajonit Bryansk Alexander Bogomaz, tha në rrjetin Telegram se nuk kishte raporte për dëme apo viktima nga sulmi ukrainas.
*Pjesë të këtij artikulli u morën nga agjencitë e lajmeve France-Presse dhe Reuters./VoA