Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos certifikuar partinë e tij për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Ky vendim u mor pas deklaratave nacionaliste të bëra nga Ellek gjatë prezantimit të listës zgjedhore.
Ellek ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka urdhëruar moscertifikimin e Listës Serbe, me qëllim që të pengohet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje. Ai e cilësoi vendimin të pa-bazuar në ligj dhe e konsideroi si një provë se Kurti dëshiron të eliminojë serbët nga territori i Kosovës.
“Kurti nuk dëshiron të shohë asnjë përfaqësues të Listës Serbe në Parlament, përveç atyre që i binden si Nenad Rashiq”, ka thënë Ellek në një konferencë për media.
Kryetari i Listës Serbe ka njoftuar se do të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“Gjatë ditës do të paraqesim ankesë në panelin zgjedhor dhe pres një vendim të qartë prej tyre për ta refuzuar këtë vendim jodemokratik të Kurtit”, ka shtuar ai.
Për moscertifikimin e Listës Serbe ka reaguar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët e kanë dënuar këtë vendim.