Policia e Kosovës të martën ka njoftuar se njësiti i trafikut në Prishtinë me veturë “inteligjente” ka filluar implementimin e planit për identifikimin e veturave të paregjistruara të cilat qarkullojnë në rrugë si dhe veturave të tjera që shkelin rregullat në trafik.
Sipas njoftimit, ky sistem kryen identifikimin automatik të menjëhershëm të veturave të paregjistruara edhe gjatë lëvizjes.
Ndërsa, vetëm për tri ditë të veprimit, janë identifikuar mbi 30 vetura të paregjistruara.
“Policia e Rajonit të Prishtinës respektivisht, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit, në kuadër të aktivitete të planifikuara për qëllim të sigurisë rrugore , me veturën ,,Inteligjente,, kanë filluar planin për identifikimin e veturave të pa regjistruara të cilat qarkullojnë në rrugë si dhe veturat tjera që shkelin rregullat në trafik Ky sistem kryen identifikimin automatik të menjëhershëm të veturave të paregjistruara edhe gjatë lëvizjes. Vetëm për tri ditë të veprimit, janë identifikuar mbi 30 vetura të paregjistruara”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Po ashtu, në njoftim thuhet se ndaj shoferëve janë shqiptuar fletëparaqitjet sipas ligjit si dhe veturat janë larguar nga trafiku duke iu konfiskuar përkohësisht targat e regjistrimit.