Të enjten e 23 qershorit, në Bruksel po mbahet takimi Bashkim Evropian dhe Ballkan Perëndimor, ku pjesë e agjendës është edhe diskutimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Emrush Ujkani, njohës i çështjeve politike, në një bisedë në emisionin “Magazina” me Blerina Neziri dhe Lirik Sylmetaj në Radio Dukagjini, ka deklaruar se është gabim orientimi i Kosovës që të pritet për një vendim të sotshëm.
Sipas Ujkanit, ky Samit i BE-së nuk është mekanizmi i duhur që merr vendimin nëse do t’i liberalizohen vizat një shteti apo jo, ai është Këshilli Evropian.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare ka deklaruar se ky samit është një forum që mbledhet 2 deri në 4 herë në vit, dhe nga samiti i sotëm është shumë e rëndësishme të dalë një mbështetje politike për procesin e liberalizimit të vizave, duke i hapur rrugë këshillit vendimmarrës që brenda 6 muajve të marrë vendim pro liberalizimit.
Ujkani theksoi se nga takimi i sotëm nuk mund të ketë liberalizim, por vetëm një mesazh mbështetës politik, pasi në periudhën e marrjes së vendimit, ky mesazh do të jetë më i rëndësishëm se mendimi i vendeve individuale, qoftë Franca apo Holanda, pasi edhe pse nuk merret vendim final në këtë takim, është një takim i instancës së lartë, e çdo mesazh i këtij takimi padyshim do të përkrahet në instanca më të ulëta.
“Kjo duhet të jetë pritshmëria në realitet, që ky këshill sot ose nesër të japë mesazhin politik shumë të pritur dhe shumë të nevojshëm… Nuk mund të pritet më shumë, duke i njohur mirë Bashkimin Evropian, ky Këshill nuk merr vendime…prandaj nuk pres më tepër, pres që ky mesazh të ndodhë, dhe kjo është ajo që mendoj se i duhet Kosovës.”, ka thënë Ujkani.
Ujkani ka deklaruar se sipas tij, Kosova ka bërë hapa më të mëdhenj drejt liberalizimit të vizave se disa shtete të tjera që e kanë fituar tashmë këtë të drejtë.
Ai ka shtuar se në rast të marrjes së një mbështetjeje sot, hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën mund të zgjasë deri në 2 vjet, por sipas tij, me shumë gjasa Kosova nuk do të presë deri në 2 vjet për finalizimin e procesit.