Në prag të festës së Krishtlindjes, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka ndarë mesazhe urimi për të gjithë qytetarët që festojnë këtë ngjarje të shenjtë.
Ai ka shfrytëzuar këtë mundësi për të kaluar kohë me dy nga kandidatët për deputetë të partisë, Bernard Nikaj dhe Kristina Bytyqi, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe dashurisë.
“Në prag të festës së Krishtlindjes, pata kënaqësinë të kaloj kohë në sheshin e kryeqytetit me dy nga kandidatët tanë për deputetë, Bernard Nikaj dhe Kristina Bytyqi. Së bashku, shënuam këtë festë duke përqafuar frymën e unitetit, dashurisë dhe shpresës për një të ardhme më të mirë.
Për të gjithë qytetarët tanë të besimit të krishterë, ju përcjell urimet më të përzemërta për një Krishtlindje të bekuar. Uroj që shtëpitë tuaja të mbushen me gëzim, zemrat me paqe dhe ëndrrat me shpresë e besim.
Teksa mblidheni me familjen dhe miqtë, le të kujtojmë vlerat që na bashkojnë si shoqëri – respektin për njëri-tjetrin, solidaritetin dhe angazhimin e përbashkët për një Kosovë më të mirë.
Gëzuar Krishtlindjen të gjithë atyre që festojnë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.