Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar mosrespektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës nga Lista Serbe, duke e cilësuar këtë si arsyen kryesore për moscertifikimin e saj për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Haradinaj ka theksuar se Lista Serbe shpesh ka bërë deklarata të papranueshme dhe të dëmshme, përfshirë glorifikimin e Vladimir Putinit dhe qëndrimet e saj kundër Kosovës.
PZAP e konfirmon se kanë pranuar ankesë nga Lista Serbe
“Lista Serbe realisht nuk ka qenë e kujdesshme me respektuar ligjet e Kosovës, ata kanë bërë shpesh deklarime shumë të këqija, për shembull rrënoftë Serbia, deklarohet në hapje të fushatës. E glorifikojnë Putinin nuk janë distancuar nga këto sulme terroriste ata duhet të bëjnë kujdes se në Kosovë nuk mund të marrin askush me marrë pjesë në proces zgjedhor e me qenë kundër Kosovës e kundër Kushtetutës. Pra janë mirëseardhur në proces zgjedhor por duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj për Ekonomia Online.
Ai ka shtuar se Lista Serbe duhet të distancohet nga qëndrimet që glorifikojnë armiqtë e Kosovës dhe se pjesëmarrja në zgjedhjet e Kosovës kërkon respekt të plotë ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Haradinaj ka përmendur se gjatë qeverisjes së tij kishte shkarkuar ministra dhe zëvendësministra për deklarata që shkonin kundër interesave të Kosovës.
“Ne që kemi votuar në vendimin që edhe ata të marrin pjesë, shqetësimet janë të bazuara në sjelljet e Listës Serbe. Duhet ta kuptojnë që Lista Serbe dhe çdokush se nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës duke glorifikues armiqtë e Kosovës.
Në një shtet tjetër nuk mundesh të marrin pjesë në zgjedhje duke i lavdëruar armiqtë e atij shteti. Lista Serbe i ka glorifikues të këqija kundër të Kosovës dhe duhet të vetëdijesohet dhe ta kuptojnë që shteti i Kosovës duhet të respektohet, unë kam shkarkuar ministra dhe zëvendësministra gjatë qeverisjes sime për një fjalë gojë, vetëm që një ministër ka thënë që Reçaku është falsifikim ka shkuar në shtëpi dhe dy zëvendësministra të tjerë kam shkarkuar vetëm për këtë fjalë”, theksoi kreu i AAK-së.
Kjo kritikë e Haradinajt vjen pas vendimit të KQZ-së për të mos e certifikuar Listën Serbe, me arsyetimin se thirrjet nacionaliste të kryetarit të saj, Zllatan Ellek, gjatë prezantimit të listës zgjedhore, përbënin shkelje të normave demokratike dhe të Kushtetutës së Kosovës.
Lista Serbe “do të marrë pjesë” në zgjedhje