Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj qeverisë së Albin Kurtit, duke e kritikuar për ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike dhe paralajmërimet për sulme nga Serbia.
Kurti paralajmëron për sulme në veri para dhe pas Vitit të Ri
Në një postim në Facebook, Çitaku ka shprehur zhgënjimin e saj për menaxhimin e situatave të rëndësishme nga Qeveria, të cilat, sipas saj, po krijojnë pasiguri dhe frikë te qytetarët.
“Dje në vigjile të Kërshëndellave, qytetarët e Kosovës pranuan dy “dhurata” nga qeveria.
E para, ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike shoqëruar me faturat astronomike për qytetarët tanë, dhe e dyta, paralajmërimet apokaliptike të Kryeministrit për sulme nga Serbia”, ka shkruar Çitaku.
Ajo e akuzoi Qeverinë për dështim në përmbushjen e detyrimeve ndaj qytetarëve, duke theksuar se qeveritarët kanë ardhur në pushtet për të zgjidhur probleme, e jo për të mbjellë pasiguri.
“Pra, mantra e vetme operuese e kësaj kaste udhëheqësish është mbjellja e pasigurisë, paparashikueshmërisë, dhe frikës.
Turp kryeministër. Keni ardhë në detyrë me mandat të fuqishëm për të zgjidhur probleme, jo për tu bërë falltor.
Kryeministër, detyra e juaj është t’i mbani dritat ndezur, t’i parandaloni sulmet, dhe të krijoni ambient të sigurtë. E jo të na thuani “shujë, se mundet me u ba edhe ma keq”.
Jo. Kosova mundet ma mirë”, ka shkruar më tutje Çitaku.