Ministria e Ekonomisë ka bërë apel qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike, veçanërisht gjatë orëve të paradites nga ora 09:00 deri në 12:00 dhe pasdites nga ora 18:00 deri në mesnatë.
Sipas ministrisë, ngarkesat e mëdha në sistem po shkaktojnë probleme teknike dhe reduktime në disa vendbanime të Kosovës.
Sipas një njoftimi të lëshuar të mërkurën, operatorët KOSTT dhe KEDS kanë raportuar se konsumi i energjisë ka arritur nivele rekord prej mbi 1400 MW, duke mbingarkuar sistemin elektro-energjetik.
Kjo situatë ka detyruar reduktime të energjisë në disa komuna, si Ferizaj, Lipjani, Gjakova, Malisheva, Gjilani, Shtimja, Istogu dhe Prizreni.
“Mbrëmë në orët e vona, Ministria e Ekonomisë, KOSTT dhe KEDS mbajtën një takim të përbashkët për të trajtuar situatën e furnizimit me energji elektrike pasi që qytetarët e disa komunave të Kosovës kanë raportuar ankesa gjatë ditëve të fundit.
KOSTT dhe KEDS raportojnë se, me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, mbi 1400 MW në kohë të caktuara. Si rezultat, sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin; kësisoj, ka qenë e domosdoshme që operatorët të bëjnë shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin. Vështirësitë janë hasur veçanërisht në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, dhe si rrjedhojë mund të jenë ndikuar edhe disa nga vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e afektuara. Ndërsa, ekipet e KOSTT-it dhe KEDS-it janë duke punuar pandërprerë në terren për të minimizuar ndikimin në furnizim të qytetarëve.
Probleme të ngjashme ka pasur në Fushë-Kosovë, por me energjizimin e nënstacionit të ri 110kV përgjatë javës së kaluar, është lehtësuar në masë të madhe barra dhe është adresuar problemi i furnizimit për banorët e kësaj komune”, thuhet në njoftim.
Ministria ka njoftuar gjithashtu për investime të planifikuara në tremujorin e parë të vitit 2025 në komunat e Malishevës dhe Dragashit, me qëllim sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm në të ardhmen.
Në prag të festave të fundvitit, ku konsumi tradicionalisht rritet, Ministria ka kërkuar nga qytetarët të përdorin burime alternative për ngrohje, si druri dhe peleti, dhe të zhvendosin përdorimin e energjisë elektrike pas mesnatës për të shmangur mbingarkesat.
“Gjatë javës në vijim pritet që të përfundojë ndërtimi i nënstacionit të tretë në Ferizaj nga KOSTT, gjë që do të zgjidhë problemet e furnizimit në këtë komunë, dhe do të lehtësojë ngarkesën edhe në vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e ndërlidhura me këtë nënstacion.
Në tremujorin e parë të vitit 2025, investime të tjera planifikohen për komunat e Malishevës dhe Dragashit me qëllim të zgjidhjeve afatgjata për furnizimin e qëndrueshëm me energji.
Zakonisht kohët e festave të fundvitit karakterizohen me rritje të madhe të konsumit të energjisë elektrike, prandaj janë kritike sa i përket sigurisë së furnizimit.
Përgjatë javës në vijim, për të ndihmuar sistemin elektro-energjetik, lusim qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm në konsumin e energjisë, sidomos gjatë orëve të paradites nga ora 09:00-12.00 dhe pasdites nga ora18:00-00:00. Kursimi i energjisë në këto orë është thelbësor për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur funksionalitetin e sistemit për të gjithë.
Lusim qytetarët që aty ku është e mundur të përdorin burime alternative për ngrohje si druri ose peleti, si dhe të zhvendosin konsumin e energjisë elektrike pas mesnatës”, thuhet më tej në njoftim.