Serbia refuzon kërkesën e Sveçlës për vizitë në Luginë: Pjesë e provokimeve të vazhdueshme të shtetit serb

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka planifikuar një vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës më 23 dhe 24 dhjetor 2024, por kërkesa e tij është refuzuar nga autoritetet serbe.

Ky vendim u bë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës përmes një komunikate zyrtare.

Në kuadër të vizitës, ministri Sveçla kishte parashikuar takime me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.

Sipas MPJD-së, pavarësisht ndjekjes së të gjitha procedurave të Marrëveshjes së Brukselit për vizitat zyrtare, Serbia e refuzoi kërkesën, duke pretenduar se veprimet dhe qëndrimet e ministrit Sveçla ishin kundër komunitetit serb dhe normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla, më datën 23 dhe 24 dhjetor 2024 ka paralajmëruar vizitë zyrtare njëditore në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc. Në kuadër të kësaj vizite, ministri z. Sveçla kishte paraparë takime me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës (KKSH), duke filluar me përfaqësuesit e Zyrës së KKSH-së në Medvegjë, për të vazhduar në Bujanoc, në selinë e KKSH-së, si dhe më pas në Preshevë, në selinë e degës së KKSH-së për këtë komunë.

Përkundër faktit që janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara për vizita të tilla zyrtare të përfaqësuesve qeveritarë dhe shtetërorë të Republikës së Kosovës në Serbi sipas Marrëveshjes së Brukselit për Vizita Zyrtare, Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën për lejimin e kësaj vizite. Si pretekst për refuzim janë theksuar qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla, të cilat, sipas Qeverisë së Serbisë, janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftim.

Kjo nuk është hera e parë që Serbia refuzon vizitat e zyrtarëve të lartë kosovarë. Në dy vitet e fundit, një sërë kërkesash të ngjashme janë refuzuar, duke përfshirë vizitën e fundit të ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, dhe atë të zëvendëskryeministres Donika Gërvalla, në shkurt të këtij viti.

“Qeveria e Serbisë gjatë këtyre dy viteve të fundit ka refuzuar rregullisht vizitat e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Republikës së Kosovës, posaçërisht kur bëhet fjalë për vizitat në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Përveç vizitave të ministrit Sveçla, janë refuzuar rregullisht edhe vizitat e ministrave të tjerë të kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës, e fundit nga të cilat ka qenë vizita e Ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Hajrulla Çeku, e paralajmëruar ditë më parë, më 19 dhjetor 2024.

Për më tepër, edhe vizita e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, e paralajmëruar në fillim të këtij viti, respektivisht, më 27 shkurt 2024, për të marrë pjesë në Pritjen për Përvjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e organizuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, ishte refuzuar pa asnjë arsyetim të vlefshëm dhe disa orë para se znj. Gërvalla të arrinte në pikën kufitare”.

Sipas Qeverisë së Kosovës, veprimet e Serbisë synojnë të mbajnë tensione të larta mes dy vendeve dhe janë pjesë e një strategjie provokative.

Ngjarjet si aktet terroriste në Banjska dhe Ibër-Lepenc përmenden si dëshmi e këtyre synimeve.

“Veprime të tilla të Qeverisë së Serbisë kanë për qëllim të qartë mbajtjen e tensioneve me Republikën e Kosovës në shkallë të lartë. Janë pjesë e provokimeve të vazhdueshme, të cilat Serbia i bën në baza të rregullta dhe me qëllim të shkaktimit të konflikteve, ku aktet terroriste në Banjska dhe Ibër-Lepenc janë manifestimi më i dukshëm i këtyre synimeve nga ana e Serbisë”, thuhet më tej në njoftim.

Shija e redaktorit

Osmani uron mirëseardhje Starlink-ut në Kosovë

Presidentja e vendit Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka shkruar Osmani në...

Elon Musk njofton: Starlink tashmë është edhe në Kosovë

Starlink, platforma e internetit satelitor të Starlink Services, LLC, një degë në pronësi të plotë të kompanisë amerikane të hapësirës ajrore SpaceX të Elon...

Edi Rama merr dhuratë nga Rexhep Selimi: Ma përcolli sot...

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka marrë dhuratë një pikturë me përkrenaren e Skënderbeut nga Rexhep Selimi. Në një postim në rrjetet sociale<a href="http://<iframe src="https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fediramaal%2Fposts%2Fpfbid02PQ6a5X5tJPRH6vFVLUxs9rQnDsKmcvppdUZMx7anrnr2hL4B3rkAacb8eHe9So3el&show_text=true&width=500"...

Të fundit nga rubrika