Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka aprovuar ankesën e Listës Serbe dhe ka vendosur që ta hedhë poshtë vendimin e KQZ-së për mosceritfikimin e këtij subjekti politik.
PZAP ka urdhëruar KQZ-në që të ceritifkojë subjektin politik “Lista Serbe” dhe kandidatët e saj për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Në vendimin e lëshuar nga PZAP-ja, thuhet se është anuluar njoftimi i KQZ-së nën arsyetimin se Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat shoqëruese të KQZ-së.
“Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024 dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojësubjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës per Regiistim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025”, thuhet në vendimin e publikuar nga PZAP-i.
Gjithashtu thuhet se me votimin që është bërë në KQZ nuk është nxjerrë asnjë vendim.
Tutje thuhet se njoftimi është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, andaj KQZ-ja urdhërohet që ta zbatojë vendimin e PZAP-së.
“Në rastin konkret, Paneli vërtetoi se Lista Serbe ka dorëzuar aplikimin e kompletuar, në përpushmëni bazuar në nenet 16 dhe 17 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe KQZ-ja është e obliguar që të certifikojë çdo subjekt politik i cili i plotëson kushtet e parapara ligjore, siç i ka plotësuar në rastin konkret Lista Serbe, për çka e njëjta është rekomanduar për certifikim nga Zyra për regjistrim, certifikimin dhe kontrollin financiar të subjekteve politike në KQZ-“, thuhet tutje në vendimin e PZAP-it.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e kishte certifikuar Listën Serbe, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Gjermania kishin shprehur shqetësim dhe keqardhje për moscertifikimin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.