Markus Preiss: Paraqitja e presidentes Osmani në samitin e BE-së, e strukturuar dhe e përsosur retorikisht

Gazetari gjerman, Preiss ka komentuar paraqitjen e presidentes Osmani në samitin e BE-së, duke thënë se ajo është shembull i komunikimit politik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para Samitit të BE-së

Markus Preiss, gazetar gjerman, shef i studios së televizionit publik gjerman ARD në Bruksel, ka komentuar paraqitjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se në aspektin politik është e strukturuar dhe e përsosur retorikisht.

Ai përmes një postimi në Twitter, ka thënë se “Kush dëshiron të shohë se si bëhet komunikimi shumë i mirë politik, duhet ta shohë paraqitjen e sotme të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor. E qartë si kristali, argumentuese, e strukturuar, pozitive dhe e përsosur retorikisht”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian me ata të Ballkanit Perëndimor, në Bruksel, ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ajo ka thënë se pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm, populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi dhe përparim.

“Dua të flas sërish këtu për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave, me shpresën se këtë herë, vërtetë, do të na dëgjoni. Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më proevropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, është shprehur Osmani.

“Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na leni të hyjmë brenda”.

Ajo ka theksuar se Kosova ka bërë pjesën e saj, dhe se sipas presidentes, tani është radha e BE-së.

“Vetë ekzistenca e BE-së dhe vlerat që ajo përfaqëson janë të pazëvendësueshme. Por vlerat në rajonin tonë, pa një perspektivë të qartë, jo vetëm rezultojnë të jenë politikisht të paqëndrueshme dhe të pambrojtura, por edhe vetë këto vlera rrezikojnë të zhvleftësohen”.

“Kosova nuk është vetëm në cep të Evropës. Ajo është dhe do të jetë gjithmonë në zemër të Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent”.

Për Osmanin, kjo është edhe arsyeja pse këtë vit Kosova ka vendosur të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE.

“Ne llogarisim në udhëheqjen dhe vendosmërinë tuaj. Ne kurrë nuk do të largohemi nga rruga jonë euro-atlantike. Ne kurrë nuk kemi shikuar në drejtim tjetër dhe kurrë nuk do ta bëjmë. Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmëhapa për sa i përket integrimit”.

Ndryshe, në selinë e Bashkimit Evropian ka nisur punimet Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane po diskutojnë mbi sfidat me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika