Ish-inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shkëlzen Sopjani, ka kritikuar konferencën e djeshme të kryeministrit Albin Kurti, ku ky i fundit foli për 15 sulme të ndodhura në pesë muajt e fundit dhe paralajmëroi për sulme të tjera në veri të vendit para dhe pas vitit të ri.
Sopjani e ka cilësuar këtë konferencë si më tepër të ndërlidhur me fushatën zgjedhore sesa me një qasje profesionale për sigurinë kombëtare.
“Mua të paktën mu dok pak më shumë si kjo qasja populiste edhe tendenca me ndërlidh pak a shumë me fushatë sesa një konferencë që do të kishte qenë e duhur. Unë të paktën nuk pash ndonjë informacion që institucionet e sigurisë së Kosovës kanë parandaluar ndonjë sulm terrorist”, ka deklaruar Sopjani.
Ai ka shtuar se deklaratat e Kurtit për sulme të pritshme nuk janë të mjaftueshme pa veprime konkrete nga mekanizmat e sigurisë.
“Nëse pritet një sulm, atëherë janë mekanizmat e sigurisë që duhet të parandalojnë dhe veprojnë. Ekspozimi publik i emrave para arrestimeve është i gabuar dhe cenon sigurinë”, ka theksuar ai.
Duke komentuar përfshirjen e FBI-së në hetimin e sulmit në Ibër-Lepenc, Sopjani ka potencuar se mungesa e dëshmive për lidhjen e Serbisë me këtë rast është problematike.
“Kur thirr FBI-në për ndihmë, duhet të kesh dëshmi të qarta për ato që pohon, veçanërisht kur akuzon shtete si Serbia”, ka theksuar ai.
Mes tjerash, ai paralajmëroi se veprimet populiste të qeverisë mund të kenë pasoja serioze për vendin. “
“Veprimet populiste cenojnë pavarësinë e Kosovës dhe nxisin reagime të pamenduara”, ka theksuar Sopjani.