Mbi 10.000 imigrantë u mbytën këtë vit në tentim për të shkuar në Spanjë

Mbi 10.000 imigrantë kanë humbur jetën në përpjekje për të arritur në Spanjë përmes detit gjatë vitit 2024, me një rritje prej 58% të numrit të viktimave krahasuar me vitin e kaluar, sipas raportit të grupit për të drejtat e imigrantëve Caminando Fronteras

Më shumë se 10.000 imigrantë humbën jetën në përpjekje për të mbërritur në Spanjë përmes detit, sipas një raporti të publikuar të enjten nga një grup spanjoll për të drejtat e imigrantëve.

Kjo shifër nënkupton se 30 imigrantë kanë vdekur mesatarisht çdo ditë në vitin 2024 në tentim për të shkuar në Spanjë përmes anijeve, tha grupi Caminando Fronteras.

Numri i të vdekurve u rrit për 58 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, thuhet në raport.

Dhjetëra mijëra imigrantë u larguan nga Afrika Perëndimore më 2024 në drejtim të Ishujve Kanari të Spanjës, të cilët ndodhen në afërsi të bregdetit afrikan, që është përdorur bujshëm si pikënisje drejt kontinentit të Evropës.

Caminando Fronteras tha se shumica e 10.457 vdekjeve të regjistruara deri më 15 dhjetor ndodhën përgjatë të ashtuquajturës rruga atlantike, e cila cilësohet si njëra prej më të rrezikshmeve në botë.

Kjo organizatë i mbledh shifrat nga familjet e imigrantëve dhe nga të dhënat zyrtare të atyre që shpëtohen.

Në mesin e të vdekurve ishin 1.538 fëmijë dhe 421 gra. Prilli dhe maji ishin muajt më vdekjeprurës, sipas raportit.

Caminando Fronteras gjithashtu theksoi një “rritje të madhe” më 2024 të imigrantëve që nisen nga Mauritania, e cila është bërë pikënisja kryesore në rrugën drejt Ishujve Kanari.

Në shkurt, Spanja ia dha Mauritanisë 210 milionë euro për ta ndihmuar t’i luftojë trafikantët me imigrantë dhe të mos i lejojë anijet me imigrantë të nisen drejt ishujve të saj.

Ministria e Brendshme e Spanjës thotë se më shumë se 57.700 imigrantë mbërritën në Spanjë përmes anijes deri më 15 dhjetor këtë vit, që është një rritje prej rreth 12 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Shumica e tyre erdhën përmes rrugës atlantike./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Osmani dekreton 24 prokurorë, gati gjysma gra

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës(KPK), ka dekretuar 24 prokurorë të rinj, ku pothuajse gjysma prej tyre janë...

Hovenier përfundon misionin në Kosovë me homazhe para shtatores së...

Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier, pas takimit lamtumirës në Presidencë, në përmbyllje të mandatit të diplomatit amerikan në...

Osmani uron mirëseardhje Starlink-ut në Kosovë

Presidentja e vendit Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka shkruar Osmani në...

Të fundit nga rubrika