Besnik Krasniqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka akuzuar qeverinë për dështim të menaxhimit të sektorit energjetik dhe ka kritikuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për deklaratat e saj të pasakta lidhur me prodhimin dhe importin e energjisë.
Krasniqi ka deklaruar në Debat Plus, se një “mafia energjetike” ka operuar në Kosovë, duke theksuar se vjedhjet “më të mëdha” u bën përmes faturave të energjisë elektrike në katër vitet e fundit.
Ai e quajti situatën si një “çoroditje” të plotë të Qeverisë, duke shtuar se janë shpenzuar qindra miliona euro për importin e energjisë.
“204 milionë euro është shumën që është importuar në vitin 2022, 161 milionë në vitin 2023, dhe kjo qeveri ka importuar 565 milionë euro për tre vjet, pa përfshirë vitin 2024”, ka dekalruar Krasniqi, duke e quajtur situatën si “çmenduri”.
Krasniqi kritikoi ministren Rizvanolli për përpjekjet për të justifikuar këtë situatë, duke e akuzuar për përhapje të gënjeshtrave në lidhje me prodhimin e energjisë dhe importet masive, duke e krahasuar situatën aktuale me vitin 2021, kur energjia importohej më pak.
“Krejt çfarë po flitet është një gënjeshtër e madhe prej ministres Rizvanolli. Në 2021 kur e ka marr si krahasim ministrja pavarësisht që në atë kohë ishim në kohë pandemie dhe kishim shkëputje të paparalajmëruar, prej pavarësimit të transmetuesit energjetik kur është bërë, nga Serbia dhe kyqja me rrjetin e Shqipërisë, në atë kohë KEUK-u po flas prodhonte mesatarisht 980 megavat orë energjie, këto janë të dhëna të sakta. Këta nuk janë jo të koordinuar, por të çoroditur për shkak se i ka kapur një mega hajni e madhe”, ka deklaruar ai.