Të enjten e 23-qershorit në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), janë promovuar dy libra të botuar një vit më parë, nga akademiku Anton Kolë Berishaj dhe profesori i shkencave politike, Anton Vukpalaj.
Janë dy libra, që trajtojnë problematika të ndryshme, por që Kosova është ajo që përputhë këto dy problematika të trajtuara në këto dy vepra.
Libri, “Në botën e përbashkët” i Berishajt, në pjesën e parë përqendrohet në zbardhjen e rrethanave të jetës në botën e përbashkët kryesisht asaj shqiptare, si krijesë historike, politike, sociokulturore, ekonomike dhe etno-psikologjike, ndërsa pjesa e dytë e këtij libri ruan vazhdimësinë e qasjes ndaj fenomeneve që trashëgohen nga jeta në botën e përbashkët.
Në pjesën e tretë të titulluar: tranzicioni, proces i ndryshimeve pas kthesave, si modifikim eventual i realitetit shoqëror dhe i krijesave paraprake, që në esencë kuptohet si zhbërje për të ribërë. Dhe pjesa e katërt, anomia, që synon zbardhjen e proceseve tranzitore në ritmin e tyre të intensifikuar për të ikur nga disa elemente të traditës.
Libri, “Fshehja e krimit”, e studiuesit Anton Vukpalaj, në pjesën e parë të librit ka analizuar fazat e para të konfliktit në Kosovë, përkatësisht luftës të cilat paraqiten si një paralajmërim për Perëndimin se një situatë e ngjashme si ajo në Bosnje dhe Hercegovinë mund të përseritej në Kosovë.
Ndërsa, në pjesën e dytë të veprës së Vukpalajt, është analizuar procedimi i krimeve të kryera në Kosovë nga ana e aparatit shtetëror të Millosheviqit para tribunalit të Hagës, kurse në pjesën e tretë ai trajton operacionet Asanacija në Bosnje dhe në Kosovë.
Por, cili ishte motivi i Vukpalajt të trajtonte një problematikë të tillë thuajse të pa prekur më parë në Kosovë?
Sipas Vukpalajt, ishin disa arsye që e shtynë në këtë drejtim.
”Një ndër to është mungesa e një literature shkencore adekuate për të kaluarën e luftës në Kosovë. Ndërsa tjetër motiv ka qenë që të shpjegohet strategjija e kryerjes së krimeve në Kosovë si një kundërpesh ndaj mohimit të këtyre krimeve nga ana e Serbisë”, ka thënë ai.