Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel për energjinë nuk e shkel sovranitetin e vendit.
Sipas tij, marrëveshja e vitit 2013 dhe 2015, ka qenë e dëmshme, por është shprehur se mosnënshkrimi i saj në vitin 2022, do të ishte hap i pafavroshëm për Kosovën.
“Dakordimi që kemi arritur apo udhërrëfyesi nuk përbën shkelje të sovranitetit. Marrëveshja fillimisht ka qenë e dëmshme, por implementimi i saj apo mosimplementimi ka krijuar një situatë në terren që ka qenë edhe më e pafavorshme”, ka thënë ai.
Në emisionin Debat Plus, Bislimi ka thënë se marrëveshja për energjinë që ishte negociuar në vitin 2013 dhe 15-të, nuk do të ishte negociuar tash në vitin 2022, sepse sipas tij, bie ndesh me tregun e lirë.
“Aty ka një element që thotë që kompania e re që do të ofrojë shërbime në veri quhet Elektroserver. Kjo marrëveshje, po të ishte negociuar tash, nuk do të kishte ndodhur për arsye se bie ndesh me rregullat e tregut të lirë, në tregun e lirë nuk e shpall fituesin pa e shtruar garën”, është shprehur ai.
Bislimi ka thënë se në udhërrëfyesin e marrëveshjes, ajo që ndryshon nga marrëveshjet e viteve të kaluara janë afatet kohore e që sipas tij tash janë më specifike.