Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar “ sot nuk humbi Albini, por populli i Kosovës”.
“Sot nuk humbi Albini por populli i Kosovës. Liberalizimin e kemi merituar shumë vite më herët por as sot nuk e morëm”, ka shkruar Haradinaj.
Për mos liberalizimin e vizave për Kosovën ka reaguar edhe ish kryetari i LDK-së Isa Mustafa, i cili për mos liberalizimin e vizave e ka fajsuar Vjosa Osmanin.
“Presidentja Osmani, nuk u takua sot me bllokuesin e liberalizimit (Makron), ashtu siç u raportua. Por, dy bllokuesit e liberalizimit, Osmani dhe Makron u takuan në Bruksel”, ka shkruar Mustafa në faqen e tij në Facebook.
Gjithashtu edhe ish kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar lidhur me mos liberalizimin dhe mos hapjen e negociatave me Shqipërinë.
“Sot patëm lajme zhgënjyese nga BE-ja: Jo viza për Kosovën, jo hapje negociatash për Shqipërinë. Shumë hipokrizi dhe absurditet pati, por nuk duhet humbur rrugën! Duhet gjetur rrugën drejt cakut, këtë punë duhet ta bëjnë qeveritë e dyja vendeve tona”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e saj në Facebook.
Ndërsa, presidentja e vendit Vjosa Osmani, që mori pjesë në samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, tha se Kosova ka marrë mbështetje për liberalizimin e vizave.