Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetja Viola Von Cramon, ka thënë se Ministri i Mbrojtjes të shtetit të Francës, është kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe jo presidenti Emmanuel Macron apo këshilltarët e tij.
“Problemi nuk është tek ai dhe këshilltarët e tij, por te ministri i Brendshëm. E vështire”, ka shkruar ajo në përgjigjen e saj ndaj Francizka Tschinderle, një gazetare gjermane.
Gazetarja gjermane, ka shtruar pyetjen për politikat e jashtme të shtetit francez, e që sipas saj janë të pakuptueshme.
Not him and his advisors are the problem, but the Minister of Interior. Difficult.
— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) June 23, 2022
“A mund të më shpjegojë dikush politikën e jashtme franceze? Bllokimi i një shteti me 1,8 milion banorë me vite dhe vite nga marrja e diçkaje kaq themelore si liberalizimi i vizave. Çka saktësisht përfitojnë banorët e një shteti me 67 milionë banorë nga kjo?”, ka shkruar ajo.
Kërkesën për liberalizim të vizave e ka bërë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e Bashkimit Evropian, ku ka marrë pjesë të enjten e 23 qershorit.
Osmani, në deklaratën e saj para hyrjes në Samitin e Bashkimit Evropian, ka deklaruar se dëshiron një mesazh të qartë nga familja evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmen e tij.
Ajo ka theksuar se qytetarëve të Kosovës u duhet një zë i qartë nga BE-ja, teksa ka shtuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Osmani ka potencuar se qytetarëve të Kosovës duhet t’iu mundësohet lëvizja e lirë.
“Sigurisht shpresojmë, megjithatë nuk dua t’i rris pritshmëritë në këtë moment kohor, sepse ky proces nuk është më në duart tona. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sa i përket liberalizimit të vizave vite më parë”, ka thënë Osmani.
Presidentja e vendit ka theksuar se mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një padrejtësi e madhe.