Jeton Mehmeti, detaje të reja për operacionin e “milionerit” mashtrues

Historia e Jeton Mehmetit është një tregim i pabesueshëm për një shpërndarës cigaresh që u bë milioner përmes mashtrimit të mbi 20 njerëzve në dy qytete, Mitrovicë e Vushtrri. Veprimtarinë e dyshuar ilegale, ai e zhvilloi në vazhdimësi për dy vjet. Një viktimë tjetër e mashtrimeve të tij është edhe kompania VTD Sh.p.k, punonjës i të cilit ishte 42-vjeçari. 

Për rreth dy vjet, Jeton Mehmeti, një diller cigaresh nga Vushtrria, dyshohet se u bë milioner.

Nga viti 2021 deri më 2023, si distributor i shitjes me pakicë për kompaninë “Tobakos” Sh.P.K., 42-vjeçari akuzohet nga Prokuroria e Shtetit se mashtroi mbi 20 persona në Vushtrri dhe Mitrovicë.

Ai u kërkoi atyre para avans me qëllim të shitjes së duhanit me premtimin se në të ardhmen do të merrnin bonuse nga kompania.

Përpos mashtrimeve që dyshohet se i sollën atij mbi dy milionë euro, Mehmeti është denoncuar për shpërdorim të pasurisë së huaj dhe kallëzim penal edhe nga “VTD” Sh.P.K., një kompani që merret me shitjen me shumicë të duhanit, për të cilën ai punoi për disa muaj gjatë vitit 2023.

Një kallëzim penal i deponuar ndaj tij nga shoqëria tregtare “VTD” Sh.p.k, e denoncon Mehmetin për dëmtim të biznesit në shumë prej 200 mijë eurove.

“VTD” Sh.p.k është një shoqëri tregtare me bazë në Pejë dhe një njësi në Prishtinë. Ajo merret me tregtinë me shumicë të produkteve të cigareve, si dhe me prodhimin e duhanit. Pronar i kompanisë është Valon Dobroshi.

Mehmeti, i cili ishte punësuar në VTD Sh.p.k. si distributor i shitjes me pakicë për qytetet Mitrovicë dhe Vushtrri, mori pako të cigareve nga kompania dhe nuk e pagoi borxhin, as nuk i regjistroi ato si të shitura.

Gjithçka nisi në muajin mars të vitit 2023.

Ai nisi të kërkonte nga njësia e kompanisë në Prishtinë më shumë pako të cigareve sesa zakonisht. Nga 50 pako sa ishte mesatarja, ai i rriti kërkesat në 120 deri 140 pako në muaj, thuhet në kallëzim penal.

Por, jo të gjitha pakot u shitën dhe as u regjistruan në kompaninë VTD Sh.p.k.

“Në komunikim me të, në mes të kompanisë dhe punëtorit, në kërkesën e tij për më shumë pako, përmes sms në Whatsapp kërkon 70 pako të cigareve blu; 22 pako VM blu dhe 8 FM red. Pronari Valon Dobroshi i përgjigjet se pa u kthyer borxhi njëherë (ose pakot e pashitura), momentin që rregullohet procedura e shitjes së 140 pakove të cigareve, dhe regjistrohen, pastaj mund të marresh më shumë mall”, thuhet në kallëzim penal.

Në përpjekje për të shpëtuar veten, dilleri i cigareve nga Vushtrria – i gjendur në borxhe dhe përball kërcënimeve – e lajmëroi rastin në Policinë e Kosovës. Deklaroi se fajtore për borxhin është kompania për të cilën punonte.

Për këtë lëvizje, atij mund t’i ngarkohet një akuzë tjetër penale: ajo për lajmërim apo kallëzim të rrejshëm.

“Me datë 3 korrik, z. Dobroshi, pronari i kompanisë, thirret nga një hetues i krimeve të rënda të policisë në zyrën në Mitrovicë, lidhur me këtë kallëzim penal [të ushtruar nga Jeton Mehmeti, v.j]. Z. Dobroshi jep deklaratën e tij në po këtë zyrë të hetuesisë lidhur me rastin. Me këtë rast, z. Mehmeti ka bërë lajmërim të rremë në kuptimin e nenit 382 të Kodit Penal, sepse në përpjekje dëshpëruese për t’i ikur përgjegjësisë së tij penale, dhe përmes veprimeve të kundërligjshme ka lajmëruar rastin në polici, si dëshmitar dhe i kërcënuar, që në fakt gjendja reale e faktike është krejtësisht ndryshe”, thuhet në kallëzimin penal ndaj Mehmetit.

Kallëzimi penal i deponuar ndaj tij nga kompania “VTD” Sh.p.k. e fajëson Mehmetin edhe për shpërdorim të pasurisë dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Ai dyshohet se i ka shkaktuar biznesit dëm në vlerë 200 mijë euro.

“Gjithashtu, me veprimet e veta të kundërligjshme, z. Mehmeti ka kryer veprën penale në kuptimin e nenit 279 të Kordit Penal të Kosovës, sepse me veprimet e veta, ka shkelur me dashje ligjin dhe dispozitat e afarizmit, duke vepruar në kundërshtim me rregullat e afarizmit duke i shkaktuar dëm biznesit VTD Sh.p.k. në vlerë për rreth 200 mijë euro”, thuhet në kallëzim penal.

Në kallëzimin penal, kompania ka paraqitur një sërë provash të dokumentuara, përfshirë kontratën e punës midis VTD Sh.p.k. dhe Jeton Mehmetit, komunikimet me sms në WhatsApp midis Mehmetit dhe pronarit të kompanisë etj.

Pas dhënies së deklaratës në polici, në të cilën u lajmërua si viktimë dhe i kërcënuar, Mehmeti u largua nga Kosova për në Gjermani. Atje dyshohet se kërkoi disa herë azil, i cili nuk iu pranua nga autoritetet gjermane.

Në mars të vitit 2024, 42-vjeçari nga fshati Gumnishtë e Vushtrrisë u rikthye në Kosovë dhe u arrestua posa zbriti në Aeroportin e Prishtinës.

Arrestimi i tij u bë pas një hetimi të gjatë nga organet ligjzbatuese, të cilat kishin marrë shumë ankesa nga qytetarët e mashtruar.

Prokuroria e Mitrovicës e akuzon atë për mashtrim, bazuar në denoncimin e mbi 20 viktimave të tij, shumica prej tyre shitës me pakicë në Mitrovicë dhe Vushtrri. Ky rast aktualisht është në gjykim në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Mehmeti, duke përdorur aftësitë e tij manipuluese arrinte të krijonte një imazh të besueshëm për veten, duke bindur njerëzit që t’i dorëzonin shuma të konsiderueshme parash.

Nga viti 2021 e deri në vitin 2023, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, Mehmeti i ka vënë në lajthim të dëmtuarit dhe me këtë i ka nxitur ta kryjnë një veprim i cili rezulton me dëm material të pasurisë së tyre, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza thotë se 24 persona janë viktima të veprimtarisë së Mehmetit.

Shija e redaktorit

Sot fillon periudha e votimit jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për...

Lirohet ish-ushtari i UÇK-së Hasan Dakaj, po mbahej në burg...

Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i cili po mbahej në burg në Serbi është liruar sot(e premte). Lajmin për Dukagjinin e...

Të fundit nga rubrika