Kanë mbetur edhe dy ditë pa filluar fushata elektorale zyrtarisht e me sa duket partitë politike kanë intensifikuar takimet e tubimet me simpatizantë të tyre.
Por në syrin e institucioneve kanë rënë disa pjesmarrës që janë pjesë e Policisë së Kosovës.
Tre prej tyre vecse kanë pësuar pasi që kanë bërë këtë veprim.
Fillimisht këtë e rekomandoi Inspektorati Policor i Kosovës dhe bëri thirrje të gjithë zytarëve policorë që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore.
Kjo u aprovua direkt nga Policia e Kosovës të cilët impelentuan menjëherë rekomandimin e IPK-së për suspendim të policëve.
Ky suspendim sipas policisë është bërë konform ligjit i cili përcakton konfliktin e interesave, udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës.
“Suspendimi i zyrtarëve policorë është bërë mbi dyshimin për pjesëmarrje në tubim apo aktivitet të natyrës politike, të cilat bien në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe udhëzimet e brendshme të PK-së.”.
Të suspenduar janë një kolonel, një major dhe një rreshter policor.
Për njërin nga ta, rrespektivisht zyrtarin policor, Idriz Gashi i cili po pretendohet që është parë në një takim të PDK-së në Rezallë, avokati i tij, Arianit Koci po thotë se gjithë pamja e publikuar është e fabrikuar.
“Sa i përket pretendimeve për pjesëmarrjen e tij në një tubim politik, dua të sqaroj se fotoja e publikuar është falsifikuar! Hetuesi policor Idriz gashi nuk ka qenë pjesë e tubimit të një partie politike në fshatin Rrezallë!Për këtë, klienti i im ka prova materiale! Prandaj, sot jam autorizuar të përpiloj dhe dorëzoj kallëzimin penal për falsifikimin e fotos”,ka theksuar Arianit Koci – Avokat.
Një tjetër rast është majori, Isak Ejupi që është parë në një tubim të LDK-së.
E këtyre dyve në listën e të suspenduarve i është bashkangjitur edhe Koloneli i Policisë së Kosovës, Nexhmi Krasniqi. Ai u pa në një takim të thirrur nga kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ish-koloneli i Policisë së Kosovës po thotë se këto situata, ligji i specifikon shumë mirë.
“PK-ja është zbatuese e Kushtetutës së Kosovës, ligjit për Policinë dhe rregullores së brendshme ku aty në mënyrë të kjartë specifikohën cështjes që Policia është apolitike, neutrale dhe profesionale”, ka deklaruar Refki Morina, ish-kolonel.
PK-ja ndër të tjera në komunikatën e tyre kanë shkruar se kanë detyrë primare garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët dhe çdo përfshirje e zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e krijuar ndër vite ndaj Policisë së Kosovës.