Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë vendosur të mos jenë të pranishëm në tre televizione gjatë fushatës zgjedhore, duke mos marrë pjesë në debatet politike. Partia në pushtet dhe kryeministri nuk kanë dhënë asnjë arsye bindëse pse e kanë marrë një vendim të tillë, për të ikur nga studio kryesore të debatit në vend.
Të njëjtat studio vite me radhë kanë qenë të hapura për zyrtarë të Vetëvendosjes, madje deputetë e ministra kanë qenë mysafirë në to deri para pak ditësh. Por, vendimi i partisë më të madhe për të ikur nga to ka një prapavijë të qartë.
Gjatë gjithë katërvjeçarit në pushtet, Vetëvendosja nëpërmjet sulmeve ndaj mediave, gazetarëve dhe opinionistëve është përpjekur t’i delegjitimojë ata, është përpjekur që t’iu thotë qytetarëve se ata janë burim i së keqes dhe fajtorë për çfarëdo të keqe që ndodh në vend.
Gjatë gjithë mandatit qeverisës njerëz të Vetëvendosjes nuk kanë lënë të zezë pa thënë për media, gazetarë e opinionistë të cilët e kanë kritikuar qeverisjen, të cilët kanë zbuluar skandale dhe të cilët nuk janë frikësuar ta thonë atë që mendojnë. Të cilët nuk i janë nënshtruar pushtetit, siç mund të ketë menduar partia e Kurtit. Pra, ikja nga mediat është në vazhdën e përpjekjeve të Vetëvendosjes për t’i nxirë mediat dhe gazetarët, për t’i lidhur ato me Serbinë e Rusinë, me burime të dyshimta financimi.
Për katër vjet pushteti i ka parë shumicën e mediave si armiq, jo si partnerë. Për katër vjet pushteti më shumë është marrë me media dhe gazetarë, sesa me partitë opozitare. Andaj vendimi për të ikur nga studiot kryesore televizive nuk më habit. Me këtë vendim pushteti nuk i dëmton mediat, por veten. Me këtë vendim pushteti synon të shkel një ndër të drejtat themelore të njeriut – të drejtën për informim.
* * *
Dëgjova ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke bërë thirrje që qytetarët të mos i ndjekin debatet e mbrëmjes. Më erdhi keq për të, për retorikën e saj. Ministrja, e cila ka qenë vetë pjesë e këtyre debateve televizive, tash bën thirrje që të mos ndiqen ato, thirrje për bojkot. Prej kur u bënë të këqija të njëjtat media, në të cilat njerëzit e Vetëvedosjes kishin hapësirën e duhur për të dhënë argumentet e veta? Prej kur ato u bënë media oligarkësh?
Vendimi për të ikur nga debatet televizive në disa media nuk ka të bëjë me parimet, por me frikën e partisë në pushtet. Frikën se do të ballafaqohet me të vërtetën, do të ballafaqohet me dështimet e veta, do të ballafaqohet me realitetin e katër vjetëve qeverisje. Ikja nga debatet është fyerje edhe për vetë votuesit e Vetëvendosjes, për të cilët partia mendon se mund t’i bind që të mos i ndjekin ato.
Shumica e gazetarëve dhe opinionistëve, pjesë e debateve televizive, janë të njëjtët që kanë bërë të njëjtën punë ndër vite, edhe kur parti të tjera ishin në pushtet. Janë të njëjtët, të cilët kanë kritikuar njësoj pushtetet e kaluara. Janë mediat e njëjta, të cilat kanë raportuar për skandale të pushteteve, të cilat Vetëvendosja pastaj i shfrytëzonte politikisht. Pra, gazetarët dhe mediat nuk kanë ndryshuar, por kanë ndryshuar Vetëvendosja dhe Albin Kurti.
Gazetarët dhe mediat nuk kanë faj pse Kurti nuk ka arritur t’i realizojë premtimet e veta, nuk kanë faj që ai ka ndërruar vazhdimisht qëndrime për çështje të ndryshme, nuk kanë faj që ministra të tij dyshohen për korrupsion, as për zyrtarë partiakë ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Gazetarët dhe mediat nuk kanë faj pse Kurti ka zgjedhur të punojë me ministra të dobët.
Mediat nga të cilat Albin Kurti ka ikur do të vazhdojnë punën sikurse deri më tash. Ikjen ai mund të përpiqet ta kapitalizojë në fushatë, duke vazhduar të nxijë media e gazetarë. Por, kjo qasje nuk e ndryshon realitetin. Është dobësi të kërkosh edhe një mandat, e të mos ballafaqohesh me dështimet tua, me realitetin.