Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, ka komentuar hetimet e zhvilluara nga FBI-ja lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Verma ka bërë të ditur se hetimi po vazhdon me përpjekje të fuqishme dhe të fokusuar për identifikimin dhe ndjekjen e kryesve të këtij sulmi.
“Ne i dënojmë sulmet e planifikuara kundër infrastrukturës dhe vlerësojmë gjithçka që Policia e Kosovës dhe shërbimet emergjente bënë për të reaguar aq shpejt. Gjithashtu, ne kemi ofruar tërë mbështetjen e mundshme për hetime përmes kolegëve tanë nga FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë. Këto hetime po vazhdojnë dhe do t’i nxisja të gjithë që të presin përfundimin e tyre para se të shpallin dikë përgjegjës. Por, këto lloj sulmesh janë të papranueshme në çfarëdo rrethane.
Hetimet po vazhdojnë ende dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë. Të presim dhe të shohim se çfarë përfundimi do të nxjerrin ekipet. Mendoj se ata po punojnë me mjaft agresivitet për të gjetur kryesit e veprës ashtu që ata të japin llogari”, ka thënë Verma në KTV.