Kandidati për Kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka hapur fushatën zgjedhore me një tubim masiv në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ndërsa Kosova i afrohet zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në sallën e mbushur plot me simpatizantë, Abdixhiku përçoi mesazhe të forta “shprese dhe ndryshimi”.
Në fjalimin e tij, Abdixhiku iu drejtua të pranishmëve me tone të shpresës për ndryshim, duke theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e Kosovës.
“Mirë se vini në tubimin më të madh elektoral në vend. Mirë se vini në shtëpinë e të djathtëve, në shtëpinë e lirisë, në shtëpinë e pavarësisë, në shtëpinë e vet demokracisë! Mirë se vini në Tubimin e Hapjes së fushatës, në tubimin e ndryshimit, në tubimin e nisjes së uraganit të madh të fitores së 9 shkurtit.
Jemi mbledhur sonte këtu, jo vetëm si pjesëtarë të një Lidhje të fortë politike, por si një shtëpi e bashkuar e njerëzve që ëndërrojnë për Republikën tonë, të ardhmen tonë, të ardhmen e një vendi që duhet të qëndrojë krenar, të qëndrojë i fortë, të qëndrojë prijetar!” – tha ai.