Kandidati i PDK-së për Kryeministër e ka përfunduar fjalimin e tij, duke u bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë PDK-në dhe numrin 131.
“Po e fillojmë sot fushatën dhe ju ftoj të bëheni pjesë e vizionit tonë, duke e ndarë atë edhe me të tjerët. Ndajeni me familjarët, me shoqërinë, fqinjët dhe kolegët tuaj të punës. Ju lus ta merrni fushatën tonë në duart tuaja. Le ta bëjmë një fushatë pozitive. Le të bëhet kjo fushatë një lëvizje që i bashkon qytetarët tanë, pa marrë parasysh nga vijnë, për të punuar për një të ardhme më të mirë”, ka thënë ai.
Hamza u ka bërë thirrje të rinjve të Kosovës.
“Të rinjve të Kosovës ju bëj thirrje: Jeni zemra e këtij vendi. Rrini këtu. Për juve që ju është zbehur shpresa te politika: Jua kuptoj frustrimin! Por, ju premtoj që me mua, nuk do të jetë më njëjtë!”, ka thënë ai.
Hamza ka thënë që sonte nuk e kërkon vetëm votën e tyre, por edhe pjesëmarrjen e tyre aktive në këtë rrugëtim.
“Bashkë do ta ndërtojmë një Kosovë që përmbush premtimin e historisë sonë dhe potencialin e së ardhmes. Kosova mundet ma mirë. Dhe, me mbështetjen tuaj, do të bëhet ma e mirë. Le të ecim përpara të bashkuar dhe të vendosur. Ju jeni fryma e ndryshimit dhe forca e zhvillimit. Ju jeni ata që nuk u lëkundët kurrë. Ata që besoni se Kosova meriton ma shumë”, ka thënë ai.
Hamza u ka kërkuar qytetarëve që të vendosin për PDK-në dhe numrin 131.
“Vendosni për Kosovën që mundet ma mirë! Zgjidhni të ardhmen!”, ka përfunduar ai.