Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka shprehur shqetësimin lidhur me “mungesën e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe komunave”.
Ai tha se në vitet e kaluara, përfshirë edhe vitin 2024, kryetarët e komunave kanë qenë të pakënaqur me raportet ndërmjet pushtetit qendror dhe komunave, duke përmendur takime të rralla dhe mungesë të vendimmarrjes konkrete.
Një nga shqetësimet kryesore të komunave, sipas Ibrahimit, është ndikimi i zbatimit të kontratës kolektive, që ka çuar në një “gjakderdhje financiare”. Ai vuri në dukje se përgjatë tri vjetëve komunave u janë marrë mbi 125 milionë euro, kryesisht nga buxheti për investime kapitale.
Ibrahimi tha se zgjidhja e kësaj çështjeje është urgjente dhe kërkoi që qeveria t’i ekzekutojë menjëherë fondet e nevojshme për zbatimin e kontratës kolektive, pa i ngarkuar komunat me barrë financiare.
“Në vitin 2024 si dhe vitet e kaluara kryetarët e komunave nuk kanë qenë të kënaqur me bashkëpunimin që ka pasur në nivelin qendror dhe në takimet që kemi pasur në kuadër të mekanizmat e AKK-së. Gjatë vitit 2024, si dhe gjatë viteve të kaluara me Qeverinë Kurti 2, shumica absolute e kryetarëve të komunave nuk kanë pasur bashkëpunim me institucionet qendrore. Jo vetëm me ministritë e zyrën e kryeministrit por edhe me agjencitë tjera që menaxhohen nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës”, tha Ibrahimi.
Sipas tij, komunave për gjatë tri vjetëve u janë marrë mbi 125 milionë euro dhe shumica absolute financiare janë marrë nga investimet kapitale.
“Një nga brengat kryesore që i ka përcjell komunat ka qenë zbatimi i kontratës kolektive ku komunave për gjatë tri vjetëve u janë marrë mbi 125 milionë euro dhe shumica absolute financiare janë marrë nga investimet kapitale. Për shkak të kontratës kolektive shumë projekte kapitale në nivel lokal nuk kanë mundur të zbatohen në parqe, rrugë, trotuare, ndriçim publik, në zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit për shkak të zbatimit të kontratës kolektive”, tha Ibrahimi për Ekonomia Online.
Pengesat te kontrata kolektive, sipas tij po shkaktojnë “gjakderdhje financiare”.
“Në bazë të analizave që kemi me drejtorët komunalë të financave e zyrtarëve ligjorë nëse vlera e kontratës kolektive për mësimdhënësit të një komune është 240 mijë euro për shkak të procedurave përmbarimore, gjyqësore e avokatëve, vlerës 240 mijë euro për mësimdhënësit iu është shtuar edhe rreth 120 mijë euro procedurat përmbarimore. Kjo është gjakderdhje financiare”, ka thënë ai.
Sipas Ibrahimit, gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2025, shumica e projekteve janë zhvilluar dhe miratuar nga niveli qendror pa konsultime paraprake me komunat.
“Bashkëpunimi ka munguar, kontrata kolektive ende po zbatohet në kurriz të komunave, por gjithashtu kemi edhe kryetarët e komunave shumica e tyre përsëri ritheksojnë se në ndarjen buxhetore ndaj komunave ka padrejtësi apo ministrit e linjës nuk shfrytëzojnë kritere objektive në ndarjen e mjeteve financiare, por shfrytëzojnë kritere jo objektive sipas kryetarëve, theksojnë se këto kritere janë më shumë politike e etnike sesa profesionale, kjo duhet të parandalohet”, tha ai.
Ibrahimi tha se edhe gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2025, për shumicën absolute të projekteve janë miratuar në Parlament, pa konsulta paraprake me komuna.
“Kryetarët e Komunave kërkojnë që Ligji për Financat e Pushtetit Lokal të amandamentohet sa më shpejt që është e mundur. Në këtë projektligj janë të parapara dy grande shtesë, është ai për investime kapitale i cili nëse miratohet atëherë pabarazia në ndarjen buxhetore ndaj komunave do të zhduket, të gjitha komunat do të fitojnë në mënyrë të barabartë mjete financiare nga ministritë e linjës dhe kjo duhet të jetë logjike dhe normale. Edhe gjatë hartimit të buxhetit për vitin për vitin 2025, në bazë të kontakteve që kemi me kryetaret e komunave, shumica absolute e projekteve janë zhvilluar nga niveli qendror dhe janë miratuar në Parlament, pa konsulta paraprake me komuna. Jam duke e theksuar këtë problem, sepse kryetarët e komunave mendojnë që ministrit e linjës kur i bëjnë ndarjet buxhetore duhet t’i konsultojnë komunat”, ka thënë Ibrahimi për Ekonomia Online.