Rritet në 16 numri i të vdekurve nga zjarret në Los Anxhelos

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga zjarret që e kanë shkatërruar zonën e Los Anxhelosit, është rritur në 16, ndërkohë që ekipet e zjarrfikësve po luftojnë për ta parandaluar përhapjen e zjarreve para se erërat e fuqishme të rikthehen.

Druhet se rikthimi i mundshëm i erërave të fuqishme mund t’i devijojë flakët drejt disa prej vendeve më të famshme të qytetit.

Pesë njerëz vdiqën nga zjarri “Palisades” dhe 11 të tjerë nga zjarri “Eaton”, thanë zyrtarët në Los Anxhelos të shtunën mbrëma.

Para të shtunës natën, numri i konfirmuar i të vdekurve ishte 11, por zyrtarët thanë se prisnin që ky numër të rritej derisa ekipet po i vazhdonin kërkimet nëpër lagjet e bëra rrafsh me tokën.

Autoritetet e kanë hapur një qendër ku njerëzit mund t’i raportojnë të zhdukurit.

Druhet se erërat mund t’i lëviznin zjarret drejt Muzeut “J. Paul Getty” dhe Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos.

Të shtunën në mbrëmje, Cal Fire raportoi se zjarret “Palisades”, “Eaton”, “Kenneth” dhe “Hurst” i kanë djegur rreth 160 kilometra katrorë tokë në Los Anxhelos.

Në një përmbledhje të postuar online të shtunën në mbrëmje, Michael Traum nga Zyra e Shërbimeve të Emergjencave të Kalifornisë tha se 150.000 njerëz në qarkun e Los Anxhelosit janë nën urdhra evakuimi, dhe se më shumë se 700 njerëz janë strehuar në nëntë qendra strehimi.

Cal Fire tha se zjarri “Palisades” është lokalizuar vetëm 11 për qind dhe ai “Eaton” 15 për qind, që nënkupton se lufta për shuarjen e këtyre zjarreve vazhdon.

“Kushtet e motit janë ende kritike dhe një raund tjetër i erërave të forta pritet të fillojë të hënën,” tha Traum.

Kostoja historike

Zjarret që filluan të martën në veri të qendrës së Los Anxhelosit, kanë djegur më shumë se 12.000 struktura.

Zjarrfikësit për herë të parë shënuan përparim të premten pasdite në zjarrin “Eaton” në veri të Pasadenës, i cili ka djegur më shumë se 7.000 struktura, një term që përfshin shtëpi, ndërtesa banimi, biznese, ndërtesa ndihmëse dhe automjete.

Shumica e urdhrave të evakuimit për zonën u hoqën, thanë zyrtarët.

Ende nuk dihet shkaktari i këtyre zjarreve, të cilat cilësohen si më të mëdhatë në Los Anxhelos, dhe vlerësimet fillestare tregojnë se këto zjarret me gjasë kanë shkaktuar dëmet më të mëdha si kurrë më parë.

Sipas një vlerësimi fillestar nga AccuWeather dëmet dhe humbjet ekonomike deri më tani janë mes 135 dhe 150 miliardë dollarë./Radio Evropa e Lire

Shija e redaktorit

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Osmani pas takimit me zëvendës-sekretarin amerikan: Kosova dhe SHBA-të do...

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Zëvendës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard Verma. Osmani pas takimit me zëvendës-ndihmës amerikan tha...

Presidentja Osmani sot pret në takim zëvendës-sekretarin e SHBA-ve Richard...

Zëvendës Sekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, sot(e premte) do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë. Ai sot...

Të fundit nga rubrika