Me përvojë të gjatë në qeverisje, por tani nga tabori i opozitës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), synon që të rikthehet sërish në pushtet me premtimet për digjitalizim të sistemit të drejtësisë, përmbyllje të procesit të Vetting-ut si dhe realizimit të një sërë projektesh kapitale.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia që dikur udhëhiqej nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova, për herë të parë synon që ta ulë në karrigen e kryeministrit, liderin e ri të saj, Lumir Abdixhikun.
A vihet në vend drejtësia me ndryshime teknike?
Me premtimet që do ta luftojnë korrupsionin pa parulla politike, LDK-ja ka dalë me një program të veçantë për digjitalizimin e sistemit të drejtësisë, madje duke përdorur ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Në këndvështrimin e tyre, lëndët gjyqësore po zvarriten për shkak të burokracisë nëpër gjykata e prokurori.
E pyetur se si do ta luftojnë korrupsionin, kandidatja për deputete, Doarsa Kica-Xhelili, që me profesion është juriste, u shpreh në terma administrativ e lehtësues, se do ta luftojnë duke bërë digjitalizimin e sistemit të drejtësisë. Me planin që e shpërfaqi, ajo tha se do të shihet një transparencë në sistemin e drejtësisë “që nuk e keni parë kurrë më parë”.
“Zvarritja e lëndëve është një formë e interferimit në sistemin e drejtësisë. Dikush që don me iu zvarritë lënda, mënyrën më të lehtë e ka me zvarritë procesin me gjëra që nuk vërehen dhe duken të parëndësishme. Duke e digjitalizuar sistemin e drejtësisë, ne e lirojmë barrën e akterëve brenda institucionit të drejtësisë që duhet të merren me procese burokratike”- tha Kica-Xhelili.
Ajo premtoi se LDK do të evitojë hapat proceduralë të panevojshëm. Procedura pararake civile apo shqyrtimi fillestar në penale, sipas saj, do të bëhet në formë virtuale.
“Janë disa gjëra që nuk ka nevojë as të jesh në seancë fizikisht. Me hy dhe me pas qasjen në një sistem elektronik se pse një lëndë ka zgjat 20 seanca, e në atë sistem ti ke me i pasë me rend me tikë ato që janë përmbushur: a është dërgu lënda tek pala; a është ftuar eksperti; a është përmbyllur dokumentimi etj”- u shpreh ajo.
Fajin për gjendjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë, ajo ia la procedurave, duke thënë se personat që i marrin shënimet nëpër institucione shkruajnë dhe kështu një lëndë që do duhej të zgjaste 30 minuta zgjat një orë e gjysmë minimalisht. Për të zhdukur këtë problematikë, ajo tha se do ta përdorim Inteligjencën Artificiale. Në fund, sipas saj, do të jenë personat zyrtarë që e konfirmojnë shkrimin e transkriptuar.
“Kjo i jep kohë më shumë gjyqtarit në një anë me trajtu aspektin profesional të lëndës, e në anën tjetër me kry një lëndë shumë më shpejt. Imagjino që krejt njoftimet që ka ardhë një padi, lëndë, të vijnë në mënyrë elektronike. Kështu i ke në krejt vendet e BE-së”- shtoi ajo.
Me programin e LDK-së, planifikohet që të përdoret potenciali i AI-së për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve duke investuar 15 milionë euro për Programin Kombëtar të Inteligjencës Artificiale.
Sipas Kica-Xhelilit, në Kosovë sistemi i drejtësisë është shndërruar në një monstrum që nuk po funksionon për askënd, pasiqë prokurorët nuk kanë vullnet “kur shahen çdo mëngjes”, e kanë pagën e pamjaftueshme, nuk kanë ekip mbështetës dhe kohën që e kanë për t’u marr me atë që e kanë ekspertizë, duhet të merren me procedura burokratike.
Bashkëpartiaku i saj, Shkëmb Manaj, poashtu jurist tha që nëse fitojnë mandatin jo që nuk do të zvogëlohen pagat për prokurorë dhe gjyqtarë, por ato do të rriten.
“Në javën e parë do të bëhet koeficenti 150 euro. Por, te prokuroret dhe gjyqtarët është një çështje tjetër sepse atyre ua kanë zvogëluar pagat dhe na duhet ta kthejmë gjendjen në pikën ku ka qenë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”- shtoi ai.
Ndërsa për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Manaj tha se Këshilli Prokurorial dhe Presidentja e Kosovës është dashtë me i dhënë epilog procesit të përzgjedhjes të Kryeprokurorit.
“Qeverisja aktuale dikur thoshte që do të shkoj Lumezi e do të vjen Elezi, Lumezi nuk ka shkuar dhe nuk ka ardhur Elezi ende”- tha ai.
Ndërsa, për Doarsa Kica – Xhelilin, vetë fakti që ka adhur puna që pyetja për Kryeprokurorin t’i bëhet figurave politike, tregon se sa problematike është drejtësia e sotme në Kosovë.
“Politika duhet me i mbajë duart larg Kryeprokurorisë, se pikërisht personat që kanë ardhur në krye të atij institutcioni janë persona që nesër kanë me na hetu neve, potencialisht. Larg qoftë, nuk besoj që do të ketë nevojë”- tha ajo.
Një tjetër segment i drejtësisë i rëndësishëm është edhe çështja e pastrimit të parave, pyetje që kandidatëve iu parashtrua nga Visar Prebreza nga rubrika “Krypometri” në Kallxo.com. Prebreza pyeti se pse në 254 faqet e programit të LDK-së askund nuk figuron pastrimi i parave si terminologji.
Kica- Xhelili, tha se në programin e tyre nuk përmendet me terma as vrasja e grave, as dhunimi i të miturëve dhe as pastrimi i parave, pasiqë në botëkuptimin e tyre drejtësia nuk mund të shihet si një mënyrë e mikro-menaxhimit, por si diçka e tërësishme.
“Nëse e rregullon sistemin e drejtësisë asisoji që ajo me u marrë mirë me vetveten dhe në mënyrë transparent duke ia ofruar të gjitha mekanizmat, atëherë [drejtësia] do të merret edhe me pastrimin e parave, edhe me të gjitha të tjerat. Pra, arsyeja pse nuk është terminologjia, është se nuk kemi parulla populliste në programin tonë politik”- u përgjigj ajo.
Ndërkaq, kandidati tjetër, Alban Zogaj me profesion ekonomist që njëherësh është nënkryetar i Prishtinës, tha se në program i përmendin shumë terme të tjera që lidhen me luftën ndaj krimit.
“Ne e kemi shumë të fokusuar programin tonë në luftën ndaj krimit dhe informalitetit. Në ekonomi pastrimi i parave konsiderohet në pjesën e informalitetit”- tha ai.
Ndërsa, Shkëmb Manaj tha se këtë segment e kanë paraparë te plani i tyre për ndërtimin e Qendrës Hetimore, e cila sipas tij, është mekanizëm krejtësisht i ri që do të funksionojë si Njësi Speciale e Policisë të Kosovës, e që kontrollohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Pjesë e specializuar e Policisë që menaxhohet drejtpërdrejtë nga Prokuroria e Kosovës. Ne duhet ta largojmë ndikimin politik te çështja e hetimeve. Nuk mund të ketë qendër të hetimeve në kuadër të Policisë, e cila udhëhiqet nga ministri i Punëve të Brendshme që është figurë politike”- shtoi ai.
Për themelimin e Byrosë për Sekuestrimim e Pasurisë të Pajustikueshme, Kicaj-Xhelili, tha se asgjë dhe askush nuk e ka penguar kryeministrin e vendit dhe Lëvizjen Vetëvendosje ta zgjedhin drejtësuesin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, as të themelojë Task-Forcë për luftimin e korrupsionit. Por, sipas saj, Qeveria nuk ka dashur ta bëj një gjë të tillë edhe pse e ka pasur në duart e veta “mundësinë e artë”. Në vend të kësaj, sipas saj, Qeveria ka zgjedhur ta shtrij ushtrimin e kontrollit.
“Po ta kishte seriozisht [Albin Kurti] kthimin e parasë publike, duhet me pyet ku i ka Martin Berishaj të hollat e veta. Kthej njëherë paratë e tij pa Byro fare, më pas flasim për Byronë”- tha ajo.
A do të bëhet Vetting-u?
Qëllimin e parë dhe kryesor në sistemin e drejtësisë, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se e ka përmbylljen e procesit të Vetting-ut, “duke u larguar nga parullat e filozofisë politike për drejtësinë”.
Kica-Xhelili ka premtuar që Vettingu do të përmbyllet si proces gjatë mandatit të tyre të parë, duke e proceduar në një version të kombinuar.
Ajo thotë se versioni i LDK-së për Vetting-un është që në shkallë të parë të mbyllen amandamentet kushtetuese. Sipas saj, nuk mjafton që Vettingu të bëhet vetëm për krerët e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.
“Më pas do të vazhdojmë me hapin e dytë që është një Vetting i brendshëm, i qëndrueshëm që e veçon sistemin e drejtësisë nga vetë Këshillat në mënyrë të vazhdueshme. Kështu Këshillat e ndërvetësojnë kontrollin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë sistematike”- thotë ajo, duke shtuar se do të bëjnë vlerësim vjetor dhe kontroll sistematik në çdo pesë vjet.
Nëse nuk voton pakica serbe në Kuvendin e Kosovës, gjë që e pengon procesin e Vettingut, Kicaj-Xhelili, tha se do të “bëjnë diçka”, ngase sipas saj, nuk mund të presin pafundësisht. Ajo thotë se maksimumi i pritjes mund të shkoj 6 muaj deri në 1 vit, në mënyrë që të mbetet hapësirë që të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore.
“Nëse dojmë me përmbyll Vettingun brenda një mandati, duhet me pas parasysh që nuk mundemi me prit pafundësisht që pakicat mos ta votojnë, edhe në vitin e tretë të na kujtohet se mund të shkojmë me hapin e dytë”- shtoi ajo.
Duke akuzuar Qeverinë Kurti, Kica-Xhelili, e cila për pak kohë ishte deputete e koalicionit LVV- Lista Guxo gjatë kësaj qeverisje, por më pas kaloi në LDK, tha se tani për tani kanë të bëjnë me një Qeveri që në shumicën e ligjeve ka elemente të kontrollit të pushtetit në drejtësi.
“Qeveri e cila reformën e drejtësisë e sheh në një fjali ‘po hymë na brenda se qashtu rregullohet drejtësia’”- tha ajo.
Juristi tjetër i kësaj partie, Shkëmb Manaj pretendon që Qeveria Kurti jo që ka bërë hapa pak, por ka bërë hapa mbrapa në procesin e Vettingut.
“Na ka kthyer në hapa mbrapa, dhe cilado Qeveri do të vjen tash, do të kemi një hap mbrapa- se nuk do të ketë Vetting të plotë në sistemin e drejtësisë”- tha Manaj.
Vettingu është një nga çështjet kryesore të përfolura në Kosovë që sa vite në fushën e drejtësisë. Ky është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Në pritje për zbardhje të krimeve të luftës
Kosova ka vetëm tre të prokurorë dhe 34-35 policë hetues për rastet e krimeve të luftës. Një numër i tillë vështirëson zbardhjen e rasteve të shumta, përderisa vitet po kalojnë e dëshmitarët po vdesin.
Shkëmb Manaj, premton se në minimum do të jenë 10-15 prokurorë për këto raste të ndjeshme.
“Ne menjëherë duhet ta bëjmë një strategji kombëtare e cila aprovohet në Kuvend, që ka afat 5 vjet që t’i trajtojë të gjitha krimet e luftës. Dhe në kuadër të strategjisë, të bëhet buxheti, të rritet numri i prokurorëve dhe policëve. Zbardhjen e krimeve të luftës mund ta bëjmë brenda pak viteve, për shkak se shumica e dëshmitarëve po vdesin e pastaj do të bëhet e pamundshme”- tha ai.
Ndërkaq, Kica- Xhelili tha se ajo çfarë duhet të bëhet është që politika të kryejë rolin e saj administrues dhe të sigurojë kapacitetet e nevojshme.
“Shkon e pyet prokurorin dhe gjyqtarin se çka po të duhet që me ma zbardhë këtë lëndë, sa persona po të duhen, sa pare po të duhen, sa prokurorë shtesë po të duhen; cilat institute botërore të duhen për ekspertizë që ne nuk i kemi kapacitetet. Dhe ti ia siguron …”- tha ajo.
Lufta në Kosovë la shumë viktima, të pagjetur, gra e burra të dhunuar e shumë dëme materiale, që ende nuk janë zbardhur. Me shkas, kërkohet që të merren hapa sa më parë që mos të kalojnë tri dekada nga përfundimi i luftës për t’i dhënë epilog pritjeve.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur e të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci.
Parandalimi i dhunës ndaj grave
Kandidatja për deputete nga LDK, Sibel Halimi, e cila njëherësh është drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, duke folur në nivel të konstatimeve tha se deri më tani nuk kanë parë asgjë konkrete nga partia në pushtet për ta parandaluar vrasjen e grave.
Halimi tha që është ithtare që të përfshijnë një lëndë specifike në sistemin parauniversitar që ka të bëjë më njohuritë mbi gjininë. Poashtu, ajo premtoi që gratë do t’i përfshijnë në tregun e punës, do të ofrojnë politika miqësore, do të përfshijnë ligjin e prindërimit dhe do ta zhdukin hendekun mes sferës publike dhe private për jetën e grave në Kosovë.
“Në këtë sistem të drejtësisë që është jashtëzakonisht i brishtë me një diskurs publik i cili denigron të gjitha hallkat e funksionimit të sistemit të drejtësisë natyrishtë që gratë ndihen të pambrojtura dhe janë në një pozitë ku më nuk i besojnë as institucioneve të sigurisë” – tha Halimi.
Se a do t’i largojnë nga puna policët në Policinë e Kosovës që i kanë rrahur bashkëshortet, Halimi tha se jo vetëm nëse ndodhë akti i dhunës, por edhe në qoftëse përdoret gjuhë denigruese apo atakim emocional do të merren masa.
Kica- Xhelili përmendi që në fund të vitit 2022, LDK-ja e ka propozuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës që merret pikërisht me çështjen e dhunës ndaj grave, por se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka votuar.
“Po flasim për të drejtat e njeriut, mirëpo duhet të mos harrohet edhe një gjë, LDK-ja nuk iu përzihet deputetëve të saj se çka votojnë e cka nuk votojnë. Ne jemi parti e djathtë dhe kemi demokarci të skajshme të brendshme dhe deputetët tonë nuk i detyrojmë të votojnë në një mënyrë apo tjetrën”- tha ajo duke thumbuar partinë në pushtet.
Kurse, kandidatja Fatlume Jaha tha se nuk ka formë më të mirë për t’i fuqizuar gratë se sa t’i fuqizosh ato në aspektin ekonomik.
“Konsideroj se LDK veçse e ka bërë hapin e parë për ta bërë këtë përmes shkollës tërëditore, sepse ka bërë një lehtësi shumë të madhe për nënat”- tha ajo.
Premtimet për Prishtinën
Tetë nga 110 kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së kanë pozita në Komunën e Prishtinës. Në planet e tyre si deputetë, ata parashohin ndryshime që do të shtrihen në rajonin e Prishtinës, e që më së shumti janë investime kapitale.
Në “DebatPërnime”, që si format në pjesën e dytë koncntrohet në punët që do të bëhen në rajonet e Kosovës, Sibel Halimi, Besian Mustafa, Krenar Xhaferi, Alban Zogaj dhe Fatlume Jaha u zotuan për ndryshime përmes projekteve të mëdha.
Dokumenti “Rruga e Re”, programi qeverisës i LDK-së, parasheh investime kapitale shtesë prej 5 miliardë eurove për katër vite mandat, me mbi 120 projekte të mëdha në vend,
Alban Zogaj tha se prej 5 miliardë euro investime kapitale në mandatin e parë, 1.5 miliardë janë të orientuara për rajonin e Prishtinës.
Një prej projekteve të mëdha të kryeqytetit, që është proklamuar edhe nga Lumir Abdixhiku dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është Unaza e Jashtme e Prishtinës.
Kandidati për deputet, Krenar Xhaferi, fajësoi Qeverinë Kurti, duke thënë se projekti për Unazën e Jashtme të Qytetit që dy vjet nuk e merr garancionin nga Qeveria e Kurtit.
“Ky garancion vjen me ditët e para [të qeverisjes së LDK-së] dhe për katër vjet ne e kemi të përfunduar Unazën e Kryeqytetit” – tha ai.
Zogaj tha se Unaza e Jashtme është një projekt i madh kapital me 350 milionë euro investime, të zotuara për kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e që sipas tij, aktualisht nuk po nënshkruhet nga Qeveria aktuale.
“Projekti i dytë i madh për kryeqytetin është “Qendra Kombëtare e Sportit” me rreth 200 milionë euro investime. Kjo qendër do të ndërtohet në perfieri të Prishtinës dhe i ndihmon Lojërave Mesdhetare që do të mbahen në Prishtinë në vitin 2030”- tha Zogaj, duke shtuar se aty përfshihet edhe Stadiumi Kombëtar me një kosto prej 50 milionë euro.
Për Spitalin e ri, Zogaj tha se është projekt tjetër i madh që do të zhvendoset nga lokacioni aktual ku është QKUK, e do të ndërtohet në periferi të Prishtinës, me 500 milionë euro investime.
Sipas tij, projekti i pestë i madh i kryeqytetit është projekti i kogjenerimit, ngrohja qendrore në kryeqytetin e Prishtinës ku parashihet dyfishimi i kapaciteteve në mënyrë që Prishtina në pesë vitet e ardhshme të ketë energji nga ngrohja.
Tjera projekte që u premtuan nga kandidatët e LDK-së, janë projekti i solareve në vlerë 100 milionë eur, pastaj rruga Prishtinë- Podujevë; rruga Prishtinë- Gjilan; rruga Prishtinë- Mitrovicë; ndërtimi i rrugës Prishtinë- Pejë.
Zogaj tha se financat për këto investime kapitale do t’i marrin në tri burime të financimit; e para përmes buxhetit; e dyta përmes kredive ndëkombetëre dhe kredive dypalëshe; dhe e treta do ta shtyjnë modelin e Partneritetit Publiko-Privat (PPP).
Besian Mustafa, i cili ishte ministër i Bujqësisë në Qeverinë Hoti, tha se do ta ndërtojnë centralin me gaz në komunën e Ferizajt përmes fondeve të Trustit Pensional.
“Nuk është problemi te mungesa e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe financimit ndërkombëtar, por është mungesa e ekzekutimit të këtyre fondeve nga ana e kësaj Qeverie”- tha ai.
Mustafa premtoi edhe Parkun Teknologjik në dalje të Prishtinës, që sipas tij, do të ketë një sistem që përfshin të gjitha hallkat e zinxhirit të këtyre teknologjive, me një investim prej 30 milionë eurove.
Sibel Halimi, tha se LDK e ka programin e saj politik për kulturën të ndarë në tri shtylla kryesore; e para ka të bëjë me investimet kapitale që brenda një sistemi 4 vjecar t’i rehatojnë institucionet dhe hapësirat e veçanta për artistët; dhe e dyta ka të bëjë më decentralizimin me institucionet vartëse.
“LDK do të ndërtoj një Teatër te ri Kombëtar”- tha ajo.
Përvoja e LDK-së në pushtet
Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.
Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), u mbajtën zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.
LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës më 04.03. 2002, dhe LDK-ja formoi qeverinë e parë pas luftës. Rugova ishte president deri në vitin 2006.
Kjo parti fitoi përsëri zgjedhjet e vitit 2004 në krye me Ibrahim Rugovën.
Ndërsa, në zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe të formonte një qeveri të re në krye me Isa Mustafën.
Në zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV, bëri një koalicion të mundshëm me LDK-në, por marrëveshja u shkatërrua pas disa muajsh kur Qeveria e Kurtit u rrëzua në Kuvend në mars 2020 përmes një Mocioni Mosbesimi.
Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla. Në 22.03.2020, Hoti u zgjodh kryeministër i Kosovës.
Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.
Kjo u pasua me zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.
Në zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % duke u renditur si partia e tretë për nga numri i votave.