Ministria e Punëve të Brendshme në Serbi, i ka bërë thirrje Boban Bogdanoviqit, i cili ka lidhje me disa figura kriminale në Serbi, që konstatimet e tij për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, t’i ndajë me organet hetimore, në përputhje me ligjin dhe jo me mediat.
Kjo deklaratë e ministrisë vjen pasi Bogdanoviq, në një intervistë për median serbe “KRIK”, ka thënë se miku i tij i vrarë, Aleksandër Gligoijeviq, i cili ishte pjesëtar i klanit kriminal të Veljko Belivuk, ka thënë se ia kishte lënë amanet që të zbulohet vrasësi i politikanit kosovar.
“Ministria e Punëve të Brendshme, shpreh keqardhje që Bogdanoviq nuk ka paraqitur ndonjë fakt të ri dhe as nuk ka konfirmuar ndonjë nga pretendimet e tij, as me prova materiale, e as me deklarata të dëshmitarëve”, është thënë në deklaratën e Ministrisë.
Bogdanoviq kishte thënë se personi që e kishte organizuar ardhjen dhe logjistikën është Milan Radoiçiq.
“Më shtatë mars të vitit 2020, ishte ndeshja e parë e raundit pranveror të Tekstilcit, në të cilën isha i ftuar si mysafir nderi. Pas lojës, u ulëm me Aleksandrin (Gligorijeviq), folëm për diçka për të cilën nuk e kisha ëndërruar se do të flisnim. Aleksandri më tha kush janë organizatorët, kush është porositësi dhe kush është vrasësi i Oliver Ivanoviqit”, shprehej ai.
Ai ka thënë se vrasësi i Ivanoviqit, është Lubomir Lainoviq, kurse urdhëruesi i vrasjes është biznesmeni nga Kosova, Zvonko Veselinoviq.
Ndërkaq, sipas deklaratës së ministrisë së Serbisë, thuhet se pretendimet e Bogdanoviqit janë plotësisht të paverifikueshme.
“Të gjitha pretendimet e tij mbështeten ekskluzivisht në bisedat e supozuara të tij me të ndjerin dhe i referohen veprimeve të supozuara të të ndjerit, prandaj janë plotësisht të paverifikueshme”, thuhet në deklaratën e ministrisë, shkruan agjencia e lajmeve Tanjug.
Ndryshe, Oliver Ivanoviq ishte vrarë më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Ai ishte udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia – Oliver Ivanoviq”.
Për vrasjen e Ivanoviqit deri më tani janë ngritur tri aktakuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Aktakuza e parë është ngritur më dy dhjetor të vitit 2019, kurse më 30 dhjetor ishte paraqitur aktakuza e dytë nga prokurori i atëhershëm, sylë Hoxha.
Në këtë gjykim, të akuzuarit Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat e ngritura kundër tyre.
Ndërsa tre të akuzuarit e mbetur, Zvonko Veselinoviq, Millan Radoiçiq dhe Zhelko Bojiq, janë në arrati.
Në anën tjetër, aktakuza e tretë ishte ngritur në nëntor të vitit 2020.
Kjo, pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë e kishte hedhur poshtë aktakuzën e dytë të Prokurorisë Speciale, pas kërkesës së palës mbrojtëse, të cilët apeluan vendimin.
Veselinoviq, bashkë me Radoiçiqin janë futur edhe në listën e zezë të SHBA-së për shkak të veprimtarisë së tyre.