Premtimet e PDK-së për reforma në drejtësi dhe për investime në rajonin e Prishtinës

Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) synon të kthehet në pushtet me premtimet se nuk do të ndikojë në sistemin e drejtësisë dhe se do të bëjë hapa specifikë në zbardhjen e krimeve të luftës.

Herën e fundit kur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte në pushtet, Bedri Hamzës i ishte besuar pozita e ministrit të Financave. Vite më pas, për herë të parë, njeriut që fitoi më së shumti vota e u zgjodh kryetar i Mitrovicës së Jugut, u përzgjodh nga partia si kandidat për kryeministër të vendit.

Kandidatët e PDK-së për deputetë, Hamzën e shohin si njeri të urtë, me integritet dhe shumë punëtor. Duke u nisur nga këto premisa, ata besojnë që nëse populli do e “furnizojë mjaftueshëm” me vota, Hamza do të jetë kryeministri që do ta reformojë Kosovën në të gjitha fushat. Se a do të arrijë ai t’i marr votat e mjaftueshme, siç i mori në një komunë, pritet të shihet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

Katër kandidatë për deputetë të kësaj partie, Përparim Gruda, Betim Gjoshi, Ilirik Musliu dhe Leutrim Retkoceri, të gjendur përballë ekipit të “Debat Përnime”, më 13.01.2025, shpërfaqën një pjesë të programit të tyre për sistemin e drejtësisë dhe për investimet në rajonin e Prishtinës. Ata u zotuan se nëse PDK vjen në pushtet, do ta bëjnë Vetting-un, do ta reformojnë sistemin e drejtësisë, do të punojnë në zbardhjen krimeve të luftës dhe do ta ndërtojnë unazën e jashtme të kryeqytetit.

Kjo parti e djathtë, është një prej partive më të mëdha në Kosovë e cila ka përvojë me pushtetin përgjatë viteve, shpesh është kritikuar “se nuk ka bërë mjaftueshëm” dhe se projektet më të mëdha i ka pasur infrastrukturore.

Me 110 kandidatë për deputetë për zgjedhjet që do të mbahen më 09.02.2025, PDK mban numrin 241 me parullën “Kosova mundet ma mirë”.

Planet për zbardhjen e krimeve të luftës

Përparim Gruda, kandidati për deputet nga PDK-ja, me profesion jurist, premton se për të zbardhur krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, në programin e tyre e kanë ndërtimin e një strategjie kombëtare, ndërtimin e një Instituti që do të ketë pavarësi buxhetore si dhe shtimin e numrit të prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Se sa mund të shtohet numri i prokurorëve, ai nuk dha shifër konkrete, por tha se këtë do ta bëjnë pas konsultimeve me Këshillin Prokurorial.

Gruda e quajti si të pamjaftueshëm Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës, duke e cilësuar si një institut që ka rol vetëm administrativ. Të njëjtin, synojnë që ta shndërrojnë në Qendër kërkimore dhe shkencore siç është Instituti Albanologjik.

“Ky Institut do të punojë dhe ndoshta kjo gjeneratë nuk do ta pres mbylljen, por do të punojë shumë gjatë. Jo me i punësuar aty 40 vetë në administratë, por me ardhë dita kur mbahet një konferencë ndërkombëtare, ku vijnë profesorë të mirë të drejtës penale e kriminalistikës, dhe të realizojnë hulumtime shkencore të cilat botohen në revista shkencore”- tha ai.

Kandidati i PDK-së për deputet, Përparim Gruda. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Nëse PDK e merr pushtetin, Gruda paralajmëroj se do të dërgojnë letër te organizata Human Rights Watch për të kërkuar që ta tërheqin raportin në të cilën akuzohen krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe për të njëjtin të kërkoj falje.

“Një raport i Human Rights është endur nëpër botë për kinse krimet e UÇK-së të cilin unë e kam hasur në mijëra punime shkencore, e në fund drejtori i atij projekti kur ka shkuar në Gjykatë Speciale me dëshmu ka thënë: po është e vërtetë që nuk kam hetuar në terren por e kam shkruar ashtu”- tha ai, duke fajësuar Qeverinë Kurti që nuk ka kërkuar që të tërhiqet një raport i tillë.

Të dhënat e KALLXO.com vënë në pah që institucionet e Kosovës kanë vetëm tre prokurorë për hetimin e krimeve të luftës dhe rreth 40 policë hetues, gjë që është e pamjaftueshme që të zbardhen rastet 26 vite pas përfundimit të luftës.

Reformimi i drejtësisë

Kandidati tjetër për deputet, Betim Gjoshi, po ashtu me profesion jurist, u zotua se drejtësisë do t’ia ofrojnë të gjitha mundësitë: buxhet të mjaftueshëm dhe kompetencë. Sipas tij, ministri i tyre i drejtësisë, nëse vijnë në pushtet, nuk do të guxoj që të përzihet në sistemin e drejtësisë.

Gjoshi tha se i kanë 14 prioritete në fushën e drejtësisë.

“Kemi mësuar shumë nga gabimet me ligjin dhe ia dimë vlerën që ka. Dhe për krahasim me partinë që është në pushtet, kritikat nga mediat dhe shoqëria civile i kemi marr me sportivitet dhe kemi reflektuar”- ka deklaruar ai.

Ndërsa, Përparim Gruda tha se programi i tyre për drejtësi parasheh reformimin e sistemit të drejtësisë dhe arritjen e dy qëllimeve themelore: e para vënien në funksion të zhvillimit ekonomik, dhe e dyta mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Gruda tha se e kanë si synim realizimin e plotë të procesit të Vetting-ut, duke zbatuar me besnikëri rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ndërsa, qëllimi tjetër është digjitalizimi i sistemit të drejtësisë dhe themelimi i Gjykatës të Punës. Kjo e fundit, sipas tij, do të bëhet me një ligj të veçantë, ashtu që njerëzit mos të presin gjatë që të fitojnë të drejtën për marrëdhënie pune.

Ai edhe pse nuk ceku shifra konkrete se sa do t’u kushtoj, tha se digjitalizimi do të bëhet në vitin e parë dhe formati i tyre është që të ulen bashkë me prokurorë dhe me gjyqtarë për ti parë  nevojat e tyre.

“Nuk mundemi me ditë koston sepse nuk e dimë ende se cilat pjesë kemi me i digjitalizu. Procesverbalet do të bëhen në mënyrë automatike, marrja në pyetje do të bëhet me video dhe audio. Kostoja është e përballueshme për buxhetin e Kosovës”- tha ai.

Digjitalizimin e sistemit të drejtësisë, PDK synon ta bëj më shpejt se Vetting-un.

Lidhur me Vetting-un, Gruda tha se ky proces do të bëhet pasi të kenë një debat me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial.

“Do t’i shohim rekomandimet e Komisionit të Venecias e të diskutojmë me miqtë tanë ndërkombëtarë që munden me na ndihmu. Por ky nuk do të bëhet kurrë qysh është bërë deri tani duke e sulmuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës”- tha ai.

Se si do të arrijnë të marrin votat e shumicës parlamentare, konkretisht të Listës Serbe, Gruda tha se në Kosovë edhe më herët janë bërë ndryshime kushtetuese, kështu që mund të bëhen edhe tash. Ai beson që Bedri Hamza, si “politikan i ndërgjegjshëm”, mundet ta sigurojë shumicën e nevojshme për ta realizuar këtë proces.

“Dokumentet për Vettingun që përfshijnë amendamentet kushtetuese, Ligjin për Vetting-un mundemi t’i bëjmë në vitin e parë. Vetting-un komplet e bëjmë për katër vjet. Kush thotë se bëhet më herët është joserioz, sepse nuk e ka kryer askush aq herët. Nuk bëhet ai proces ashtu”- tha Gruda.

Kandidati i PDK-së për deputet, Betim Gjoshi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Njëjtë beson edhe Gjoshi. Ky i fundit e cilëson Qeverinë Kurti si të paaftë për ta realizuar këtë proces.

“Partisë në pushtet ia kemi ofruar votat blanco për Vetting. Ia kemi dhënë këshillën e ndihmesën, por ata nuk kanë në gjendje që ta bëjnë një ligj”- tha ai.

Kurse, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Përparim Gruda tha se asnjë ligj nuk i jep asnjë rol Qeverisë në përzgjedhjen e Kryeprokurorit, e nuk duhet të ketë as nëse zgjedhen ata në Qeveri.

Ai beson që qeveria Hamza, nëse i merr votat, nuk do të ketë asnjë rol në këtë përzgjedhje, njëherësh zotohet se nëse do të kenë mundësi do të bëjnë edhe intervenim në ndryshimin e Ligjit.

Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit në Kosovë është me ushtrues detyre që nga prilli i vitit 2020, meqë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk e dekretoi Blerim Isufajn në këtë pozitë.

Vetting-u është një nga çështjet kryesore të përfolura në Kosovë që sa vite në fushën e drejtësisë. Ky është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Për një temë tjetër, atë të pasurisë së zyrtarëve, Përparim Gruda, tha se PDK është kundër që pasuria e pajustifikueshme të bëhet përmes Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gruda tha se janë për konfiskim të pasurisë, por nga një organ brenda sistemit prokurorial, e jo nga një byro që është organ politik.

“Byroja është në varësi të kryeministrit. Nuk duhet me pas as kryeministri jonë, se na mundemi me thanë që mundemi me ba, por jo, ajo duhet të jetë brenda sistemit prokurorial”- tha ai.

Ndërsa, Betim Gjoshi tha se duhet të ndryshohet vullneti politik për Vetting-un.

Ai deklaroi se në planin e tyre nuk ekziston themelimi i një Byroje si ajo që thotë Qeveria Kurti, por themelimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Këta (Qeveria Kurti) krejt ligjet i kanë bërë antikushtetuese për me fitu vota, për me thanë e keqe është Kushtetuesja edhe krejt këta tjerët që nuk po na lajnë më ba çka thotë ‘Albin Baba’”- tha ai.

Qeveria e tanishme, thotë Gjoshi, për herë të parë në historinë e Kosovës i ka menaxhuar krejt institucionet në Kosovës, duke i emëruar “prej presidentit e deri te portieri”. Ai përmendi rastin e ish-drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi dhe të ambasadorit në Kroaci, Martin Berishaj.

“Ka pas kohë të mjaftueshme nëse ka dashtë me i shti hajnat në burg. Na e kemi një ambasador që presidentes i vjen marre me dal në foto me ta, i cili ka heq pare me thes prej bankave pa asnjë punëtor për tregti të GEN-it serb. I njëjti është ambasador e ka qenë këshilltar i kryeministrit. Qysh bre nuk i vjen marre kush e përfaqëson shtetin e Kosovës. Kjo ka tregu që i mirë je veç nëse je vasal i kësaj Qeverie”- tha ai.

Më 11.09.2024, Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme – pasi Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se disa Nene të këtij Ligji nuk ishin në harmoni me Kushtetutën. Ky Ligj ishte dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës, më 21.02.2023.

Një tjetër segment i rëndësishëm në fushën e drejtësisë që u sfiduan kandidatët për deputetë është nëse do të themelohet në Kosovë një mekanizëm si në Shqipëri si Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Përparim Gruda tha se si parti do të formojnë një Byro Kombëtare të Hetimit, si mekanizëm që vendoset brenda sistemit prokurorial.

“Aktualisht është e menduar si mekanizëm administrativ që varet prej shumicës parlamentare. Kjo është katastrofë. Nuk mundet me ndodhë kurrë. Ne duhet ta vendosim brenda organit prokurorial. Kjo siguron që i emëruari nuk është i emëruar i Qeverisë, por i sistemit të drejtësisë”- tha Gruda.

Planet për rajonin e Prishtinës

Kandidatët e PDK-së për deputetë, kanë prezantuar edhe disa plane investive në rajonin e Prishtinës që ndërlidhen me qeverisjen qendrore.

Kandidati, Leutrim Retkoceri i cili është asamblist në Komunën e Prishtinës, thotë se programi i tyre parasheh “Unazën e Jashtme” të kryeqytetit me vlerë 400 milionë euro. Edhe pse ajo është filluar më herët, ai thotë se atë do ta bëj Bedri Hamza, nëse bëhet kryeministër.

Kandidati i PDK-së për deputet, Leutrim Retkoceri. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Retkoceri tha se kanë paraparë legalizimin e ndërtimeve, zhbllokimin e miliarda eurove kapital, pastaj, shfuqizimin e ligjit në tatimin në pronë, subvencionimin për gjithë fëmijët me nga 100  euro të cilët nuk mund të regjistrohen në çerdhet publike.

“Për uljen e tatimit në pronë nuk mund ta japim një shifër sepse ka prona, palujtshmëri të ndryshme që nuk mund të përkufizohet me një shifër”- tha ai.

Kandidati tjetër, Ilirik Musliu, i cili ka qenë drejtor në Komunën e Prishtinës, tha se në pesë shtyllat programore të PDK-së, hyjnë: zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, jeta më e mirë për secilin, arsim për të ardhmen, sistem shëndetësor për pacientin dhe një Kosovë e sigurt dhe e integruar.

“Stimujt fiskal janë shumë të rëndësishëm për sektorin privat, për faktin që do ta bëjmë ndryshimin e pagesës së TVSH-së, kemi me e ndryshu këtë praktikë dhe do ta bëjmë  praktikën e pagesës brenda regjionit të Kosovës”- tha ai.

Kandidati i PDK-së për deputet, Ilirik Musliu Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Sipas tij, në përjashtim për bizneset  të cilat qarkullojnë deri në 10 mijë euro, do të bëjnë lirim nga tatimi në fitim për një periudhë të caktuar për ata që investojnë mbi 500 mijë euro apo deri në 50 punëtorë.

Përvoja e PDK-së në qeverisje

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.

Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.

Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e kryeparlamentarit.

PDK ka qenë pjesë e qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si kryeministër. PDK mbante disa ministri dhe poste të rëndësishme në këtë qeveri.

Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9 për qind.

“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”. 

Shija e redaktorit

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Osmani pas takimit me zëvendës-sekretarin amerikan: Kosova dhe SHBA-të do...

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Zëvendës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard Verma. Osmani pas takimit me zëvendës-ndihmës amerikan tha...

Të fundit nga rubrika