Ministri i Jashtëm i Rusisë sinjalizoi se Moska është e gatshme të dëgjojë nga presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump dhe këshilltarët propozimet për të zgjidhur luftën në Ukrainë, duke thënë se administrata e re amerikane “ka nisur të pranojë realitetet në terren”.
Këto deklarata Sergei Lavrov i bëri gjatë një konference vjetore për mediat më 14 janar. Edhe më herët, zyrtarë të lartë rusë kanë bërë deklarata lidhur me propozimet potenciale për armëpushim në konfliktin, që muajin e ardhshëm shënon përvjetorin e tretë.
Trump ka thënë se dëshiron të takohet direkt me presidentin rus, Vladimir Putin, për të tentuar që ta zgjidhë luftën, e cila ka lënë të vrarë më shumë se 1 milion trupa në dy anët.
Rusia, trupat e së cilës aktualisht kanë nën kontroll rreth 20 për qind të territorit ukrainas, e ka justifikuar pushtimin e saj të plotë të Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022, duke përdorur një sërë arsyetimesh të ndryshme, përfshirë parandalimin që Kievi të anëtarësohet në aleancën ushtarake perëndimore të NATO-s.
“Ne do të presim për iniciativa specifike. Presidenti Putin ka thënë në shumë raste se është i gatshëm të takohet, por ende nuk janë bërë propozime”, tha Lavrov gjatë konferencës për media që zgjati tri orë.
“Presidenti Trump po ashtu tha se Putini dëshiron të takohet dhe ai beson se duhet të takohen, por fillimisht Trump duhet të marrë detyrën”.
Në ditët e fundit si president i SHBA-së, Joe Biden, ka nxituar të dërgojë miliarda dollarë armatime dhe pajisje të tjera në Ukrainë, duke synuar që të forcojë arsenalet e Kievit në rast se administrata e re e Trumpit do të zvogëlojë dërgesat e armëve.
Në Kiev, zyrtarët ukrainas kanë sinjalizuar po ashtu se janë të hapur që të dëgjojnë propozimet për paqe të Trumpit.
Gjatë jë interviste për Newsmax më 13 janar, Trump tha se Putin është gati të takohet sapo ai të inaugurohet si president më 20 janar.
“E di se ai dëshiron të takohet dhe unë do të takohem me të shumë shpejt”, tha Trump.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve pas deklaratave të Lavrovit se ende nuk ka pajtim për detajet lidhur me një takim mes Trumpit dhe Putinit.
Këshilltari i ri i Trumpit për siguri kombëtare, Mike Walz, po ashtu ka përmendur një shtytje të re diplomatike për të zgjidhur çështjen e konfliktit. Por, ai po ashtu ka sinjalizuar se kërkesat ukrainase që Rusia të tërhiqet nga të gjitha territoret e pushtuara ka pak gjasa të përmbushet.
“Thjesht, nuk mendoj se është realiste të thuhet se ne dëbojmë çdo rusë nga çdo milimetër i territorit ukrainas, madje edhe nga Krimeja”, tha ai për ABC News më 12 janar.
“Presidenti Trump e ka pranuar këtë realitet dhe mendoj se ka qenë një hap i madh përpara që e gjithë bota po e pranon këtë realitet. Tani, le të ecim përpara”./Radio Evropa e Lirë