Sipas njoftimit, policia bazuar në analizën e informacioneve të pranuara, ka ndaluar një kamion me targa të huaja që po lëvizte nga territori i Kosovës në drejtim të Serbisë në të cilin kishin ngarkuar pemë, perime dhe shkrepëse rimbushëse.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se: “Më datë 23.06.2022 rreth orës 16:00 në vazhdën e aktiviteteve për parandalimin e kontrabandës, Policia e Kosovës bazuar në analizën e informacioneve të pranuara, ka ndaluar një kamion me targa të huaja që po lëvizte nga territori i Kosovës në drejtim të Serbisë me vozitës dhe pasagjer meshkuj shtetas të Serbisë, në të cilin kishin të ngarkuar pemë, perime dhe shkrepëse rimbushëse”.
Në njoftim është bërë e ditur se janë ndaluar gjithashtu edhe dy kamionë, njëri me targa vendore dhe tjetri me targa të huaja të ngarkuara me dru në sasi, gjithsej, 34m³ të padamkosura dhe pa dokumente përcjellëse.
“Po ashtu në datën e lartcekur rreth orës 20:00 në dy raste të ndara janë ndaluar dy kamionë njëri me targa vendore dhe tjetri me targa të huaja, me vozitës meshkuj kosovarë, të ngarkuara me dru në sasi gjithsej 34m³ të padamkosura dhe pa dokumente përcjellëse”, thuhet në njoftim të policisë.
Lidhur me rastet për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me autorizim të të cilit janë iniciuar rastet “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo vijës kufitare dhe kontrabandim me mallra”.
Në rastin e parë, automjeti dhe mallrat e dyshuara janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin Doganor në Mitrovicë dhe me vendim të prokurorit lënda trajtohet në procedurë të shpejtë dhe të dyshuarit dërgohen në mbajtje.
Ndërsa, në dy rastet e tjera është njoftuar Agjensioni Pyjor i Kosovës në Mitrovicë, për veprimet e mëtutjeshme dhe me vendim të prokurorit rasti trajtohet në procedurë të rregullt dhe të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.